Këtë fundjavë, Durrësi çel sezonin e ri artistik me një nga kryeveprat e letërsisë botërore, komedinë “Revizori” të shkrimtarit rus Nikolai Gogol.

Me regji të Driada Dervishit, trupa profesioniste e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të ngjisë në skenë veprën satirike që nuk njeh kohë dhe i flet çdo kohe, pasi në qendër ka një administratë të korruptuar, një dukuri aktuale dhe me pasoja të rënda për shoqërinë dhe sot, afro 2 shekuj pas shkrimit të saj.

“Është një pjesë që i flet shumë vendit tonë dhe është e pamundur që një artist të mos reflektojë atë që sheh në të përditshmen e vet. Vepra sa njeh vënie të ndryshme në skenë, njeh dhe variante të rishkruara mbi tekstin e Gogolit, por unë jam bazuar në tekstin kryesor të Gogolit. Shfaqje të tilla të mëdha nuk duhet të na bëjnë të jemi në dilemë për t’i risjellë në skenë. Teatri është gjithnjë në kërkim të së resë”, ka thënë Driada Dervishi, regjisore.

Për aktorin Amos Zaharia, roli i revizorit është një sfidë dhe përgjegjësi e madhe në karrierën e tij, ndaj pret me padurim vlerësimin e spektatorit.

“Si aktor, ky është një nga rolet më të vështira të karrierës sime pasi paraqet shumë sfida. Ai herë është i uritur, herë i dehur, herë i lumtur e herë i palumtur. Edhe një aktor me përvojë 30-vjeçare do të paraqiste sfida të mëdha, po në fund fare është spektatori që vendos”, është shprehur Amos Muji Zaharia, aktor.

Në rolin e kryebashkiakut të korruptuar, aktori i humorit Gentian Zenelaj, shprehet se “Revizori” vjen në një situatë politike të turbullt kur besimi i qytetarëve te administrata dhe politika ka humbur.

Top Channel