Kush është çmendur?!
Ata që jetojnë të sigurt në diturinë e tyre, apo ata që nuk ndaluan së pyeturi?

Franc Koruni e nisi me këtë shprehje, koncertin e promovimit të albumit të tij “Kush është çmendur”. Sepse për të që të bësh një album në këtë kohë, duhet të jesh pak i çmendur. I veshur me të bardha, më kitarën e tij të pandashme dhe i izoluar brenda një kubi në botën e tij, ai lëshoi magjinë e tingujve përgjatë një nate të gjatë mes miqsh.

“Është Shpëtim Saraci, producenti i këtij albumi. Është sponsorizuar nga Marco Borsatti, ndër më të mirët në Evropë.Dhe instrumentistë, miq të mij, kanë bërë një punë me shumë dashuri dhe në fund ka dalë “Kush është çmendur”, ka thënë Franc Koruni.

Më sytë e shpirtit ai ndriçoi këtë hapësirë të vogël tek Reja. E më pas e rrëzoi pengesën me publikut për t’ju folur atyre me fjalë e tinguj. Duke nxjerrë në pah origjinalitetin e tij, atë që e shndërron në Franc Korunin kitarist klasik e kantautor të veçantë.

Kush është stili i asaj që ti pëlqen të bësh? I muzikës tënde..

“Nuk e kam shumë të qartë, sepse unë bëj atë që ndiej. Bëj gjërat e mia. Jam ndikuar pak nga muzika italiane, edhe nga muzika klasike, sepse kam studiuar muzikë klasike”, tha Koruni.

Cili ka qenë reagimi i njerëzve që ke pranë vetes?

“Secili sipas mënyrës së vet. Dikush që është pranë natyrës sime kënaqet kur dëgjon ato këngë. Kush është pak më larg natyrës sime, më urojnë, sepse është një punë e bukur. Çdokush është në kërkim të të ngjashmëve të vet dhe kjo ndodh edhe në muzikë e kjo ndodh edhe në arte”, tha ai.

Muzika e tij shpirtërore në këtë kohë komercialiteti e bën artistin të na dhurojë një çmenduri të kthjellët ashtu sic është bota në këngët e tij.

Top Channel