Tym i zi ka mbuluar qytetin verior të Francës, Rouen, pasi një zjarr spektakolar shpërtheu në një fabrikë lëndësh kimike, duke bërë që autoritetet të mbyllin shkollat dhe duke i kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

200 zjarrfikës dhe 60 mjete zjarrfikëse u angazhuan në betejën me flakët që shpërthyen mëngjesin e të enjtes, në një depo të fabrikës që prodhonte lubrifikantë industrialë dhe aditivë karburantesh.

“Nuk duhet të përfshihemi nga paniku në një situatë të tillë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha ministri i brendshëm francez Kristof Kastanje, duke shtuar se nuk kishte të dhëna që mund ti bëjnë të besojnë se ka një rrezik nga tymi.

“Shkollat dhe kopshtet e afërta sidoqoftë do të mbeten të mbyllura”-tha ai, ndërsa autoritetet lokale i kanë kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të evitojnë daljet e panevojshme jashtë.

Fabrika në brigjet e lumit Senë, i përket një kompanie multinacionale amerikane, në pronësinë e investitorit miliarder amerikan Warren Buffett.

Në janar 2013, u regjistrua atje një rrjedhje e madhe e gazit Merkaptan, që ka erë të rëndë si vezë të prishura. Era madje u ndje deri në Paris dhe përtej kanalit të la Manshit, duke arritur Anglinë, ku banorët u ankuan po ashtu.

Ndërsa në 2015, 2 mijë litra uji mineral që përdoret tek lubrifikantët, u derdh në sistemin lokal të kanalizimeve në Rouen, një qytet i famshëm për katedralet e tij.

Top Channel