Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duhet të shpreheshin këtë të hënë në një mbledhje të paralajmëruar më herët, nëse katër pretendentët për prokurorë të përgjithshëm i plotësojnë apo jo kushtet për të vazhduar garën më tej.

Por shtyrja e kësaj vendimmarrjeje që do ti hapte rrugë në vazhdim pikëzimit dhe intervistimit të garuesve, i futi në një marrëdhënie keqkuptimi dy institucione.

Nga njëra anë Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte llogaritur se këtë të hënë përfundonte afati për ankimin ose jo ndaj kandidatit Olsian Cela, një veprim të cilin komisioneri publik nga ana tjetër kërkon ta shfrytëzojë deri në limitin zyrtar që nuk është orari zyrtar, por ora 24.

Këshilli njoftoi shtyrjen e mbledhjes për të mërkurën, pasi komisioneri nuk i kishte dërguar letër prokurori Cela do të ankimohet ose jo.

Ndërsa menjëherë reagoi komisioneri publik që saktëson se çdo vendim i tij publikohet në faqen zyrtare, çka nënkupton se komisioneri nuk ka asnjë detyrim për ta vënë në dijeni Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Rezultoi se në një hallkë të procesit administrativ, në atë hallkë që ka të bëjë me kalimin e dokumentacionit nga KPP tek komisioneri ka ndodhur një vonesë. Kjo bënë që sot të jetë ende brenda afatit për komisionerët, për kryerjen e një ankimi të mundshëm. Në këto kushte, këshilli është në pamundësi për të marrë vendimin sot. Sidoqoftë, nga momenti i marrjes së vendimit nga Këshilli për listën zyrtarëve të kandidatëve, besoj se Këshilli brenda tetorit do të dërgojë listën në parlament, kandidatët të renditur sipas meritës së tyre, për ti hapur pastaj rrugës procedurës parlamentare”, ka thënë kreu u KLP, Gent Ibrahimi.

Kreu i KLP flet edhe për Prokurorinë e posaçme SPAK, që siç duket ka ngelur në stacionin e vettingut.

“Na duhet një numër i arsyeshëm prokurorësh për të përballuar ngarkesën që do të rëndojë pastaj mbi zyrën e Prokurorisë të Posaçme. Pra, diskutimi është kushtetues përsa i takon dhjetës, dhjetës dhe më pak, ndërsa pjesa tjetër do jenë 8,7,9, ka të bëjë vetëm me çëshjte praktike.

Ku do ta bazoni këtë vendim?

“ Në interpretimin e kushtetutës që e bënë në radhë të parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.

Çfarë ndodh me kandidatët, me pesë të tjerë, të cilët ndërkohë po presin gongun e KPP-së, për tu paraqitur në seancat publike?

“Ata mund të emërohen çdo kohë në Prokurorinë e Posaçme, në momentin që plotësohet kushti ligjor i kalimit të vettingut, në vendim të formës së prerë.”

SPAK-u kur do jetë gati?

“Janë pyetje të përbëra edhe përgjigjet s’janë veçse të përbëra. Pra, përgjigjja ime domosdoshëmrisht që kushtëzohet nga ecuria e procesit të vettingut. Domosdoshmërisht që kushtëzohet nga vendimi që do të marrë Këshilli për interpretimin e dispozitës kushtetuese që flet për 10 anëtarë të Prokurorisë së Posaçme.

Top Channel