Një Studim mbi Trashëgiminë Kulturore të Arteve Pamore. Artistët në historinë e njerëzimit janë parë si krijesat më pranë Zotit.

Përballë  sipërfaqes së bardhë ata janë konsideruar si të vetmet krijesa të ngjashme me të, në mundësinë për të krijuar nga hiçi, gjithçka. Por raporti i tyre me historinë  është i ndryshëm ndërsa hapësira gjeografike dhe periudha kohore kur janë krijuar, mbeten përcaktues për ta. Historia e artit shqiptar 1858 – 2000 është  një  studim i plotë  mbi rrugëtimin e artit pamor vendas. Për të  na folur pikërisht për të, në rubrikën e Vitrinës së Librit, kemi ftuar autorin e këtij studimi prof. Ermir Hoxha.

Tema e artit të Realizmit Socialist në Shqipëri, përtej parashikimit, qëlloi të jetë një fushë pjellore. Ai ka sjellë gjithmonë vepra, stile, risi, dhe ngjyra në historinë e arteve pamore shqiptare. Pas botimit të librit “Arti i Realizmit Socialist”, që prej shtypit të shkruar u prit me vlerësime të larta nga studiuesit dhe kritika, Ermir Hoxha tregon se ishte absolutisht e nevojshme një studim tjetër “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000”. Hoxha rrëfen se ky studim u bë i mundur falë një pune 10-vjeçare kërkimi dhe meditimi. Ky studim përqendrohet në epokën moderne të historisë së vendit tonë, apo atë periudhë kur produkti artistik realizohej nga shqiptarët për shqiptarët, duke u shtrirë nga viti 1858 (data e fotografisë së parë në realitetin vendas, dhe si i tillë imazhi i parë realist) deri në dekadën e fundit të shekullit XX. Pavarësisht se ai nuk e përcakton nëse studimi i tij është shterues apo jo, Hoxha shton se duhet të pranojmë se duke iu referuar të gjitha rrethanave që krijuan artin shqiptar në “morsën” e Realizmit Socialist, e duke i mëshuar me një vështrim të pagabueshëm estetik asaj çka improvizuan artistët më të talentuar, të gjendur në trysninë e fortë të kërkesave shtetërore për zbatimin e metodës në art, arti këtyre artistëve ishte padiskutim i jashtëzakonshëm. Ermir Hoxha kujton një fakt interesant që shpjegon të gjithë zanafillën e zhvillimit të artit të Realizmit Socialist në vendin tonë, fakt që lidhet me vështirësitë e zbatimit të kësaj metode në artet pamore në gjysmëshekulli diktaturë e pak vite pas saj.

Metoda e Realizmit Socialist, një term i hasur rëndom në çdo artikull të botuar në vitet ‘50, ishte një realitet që u improvizua që në vitet e pasluftës… Të pëzmatuar, dhe jo aq të qartë në atë që bënin si punë, ata improvizuan mbi shembujt e veprave që pëlqeheshin nga udhëheqësit pa pikë shije. Apo që lakoheshin në debate e shumta në shtypin e kohës. Shpesh heë ata kopjonin shembujt klasikë të artit sovjetik, thotë ai për Vitrina e Librit, duke vijuar më tej se, edhe pse të qartë mbi direktivat shtetërore, vështirësitë që ata hasën për materializimin e kësaj metode, qenë serioze. Shteti shqiptar, i vetëdijshëm për këtë dhe si pasojë e mungesës së specialistëve në shumë fusha të artit (dhe të shkencës), kërkoi me ngulm edukimin e një brezi të zgjedhur nxënësish, të cilët do të dërgoheshin me studime të larta në vendet e bllokut lindor. Në një dekadë, rreth 4500 prej tyre, janë përzgjedhur sa nga cilësia, aq edhe nga shtresa shoqërore dhe biografia, u dërguan si misionarë në vendin nënë të komunizmit proletar dhe vendeve të tjera satelite. Nëpërmjet këtij studimi, Hoxha prek mediumin e pikturës, skulpturës, fotografisë, grafikës dhe karikaturës dhe ato mediumet e tjera që u zhvilluan në periudhën e fundme si instalacionet dhe videot.

Libri ka rreth 500 ilustrime dhe është i ndarë në 5 periudha studimore përkatësisht: Pjesa e parë; Realizmi romantik në prag të shekullit XX (1858 – 1912). Pjesa e dytë; Institucionalizimi i artit në shtetin e ri shqiptar (1920 – 1939). Pjesa e tretë; Arti pas Luftës së Dytë Botërore (1945 – 1961); Pjesa e katërt; Realizmi socialist në Shqipëri (1961 – 1985). Pjesa e pestë; Në kërkim të kohës së humbur (1985 – 2000). Rëndësia e këtij studimi qëndron në faktin që në realitetin shqiptar (të pas viteve ’90) nuk ekziston ende një Histori e Artit Shqiptar i plotë apo i pjesshëm dhe si e tillë nevoja për të duket se ishte shumë e dukshme.

Top Channel