Kryebashkiaku i Tiranës ka vizituar një nga familjet e prekura nga tërmeti në Ndroq.

Erion Veliaj vizitoi sot një tjetër familje të prekur nga tërmeti i fuqishëm që përfshiu kryeqytetin dy ditë më parë. Së bashku me deputetët Arben Pëllumbi dhe Mirela Kumbaro, Veliaj ishte në familjen e Shpëtim Dardhës në “Lagjen e Re” në Ndroq, ku theksoi se pas verifikimit të dëmeve, do të nisë puna për rikonstruksionin ose ndërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti.

Kryebashkiaku nënvizoi se krahas fondit të emergjencave dhe atij të investimeve, Bashkia e Tiranës, në partneritet edhe me komunitetin privat, do të fillojë menjëherë punën për rikuperimin e dëmeve. “Ndroqi është një nga zonat më afër epiqendrës së tërmetit. Ndërtimi strukturor në kodër, me mjete rrethanore, me gurë nga lumi, me baltë, me qerpiç, me kallama e dërrasa, por edhe vjetërsia, e bëjnë ndërtesën jashtëzakonisht vulnerabël. Kjo është arsyeja pse sot ishim në shtëpinë e Shpëtimit. Janë rreth 22 shtëpi të dëmtuara dhe 8 me probleme më të moderuara. Sot do të bëjmë një mbledhje me komunitetin e ndërtuesve, që teksa ne vazhdojmë emergjencat me fondet dhe investimet që duhet të bëjmë, disa punë mund t’i bëjmë shumë shpejt edhe me komunitetin privat”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se eksperienca e suksesshme e bashkëpunimit me kompanitë private për ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave publike, do të zbatohet edhe për banesat e dëmtuara dhe rikuperimin e tyre brenda një kohe të shkurtër. “Do kemi brigadat e bashkisë për krahun e punës dhe donatorët për llaç dhe tulla. Inxhinierët, arkitektët dhe konstruktorët i kemi vetë dhe besoj se nëse bëjmë një partneritet publik-privat, siç kemi bërë për çerdhet, kopshtet, shkollat, ecim më shpejt. Një pakicë e njerëzve kanë alergji nga termi publik-privat, por këtu bashkimi sjell fuqinë. Ne mund të kemi 5 ekskavatorë, por bashkë me ta kemi 505; mund të kemi një brigadë me 100 veta, por bashkë me ta kemi 1100 veta”, tha Veliaj.

Paralelisht, të gjitha grupet e punës së emergjencave në terren kanë përgatitur një dosje të plotë për çdo banesë të dëmtuar. Kryebashkiaku siguroi se për të rindërtuar sa më shpejt shtëpitë e dëmtuara që kanë nevojë të rindërtohen, do të thjeshtohen procedurat e lejeve të ndërtimit. “Grupi i emergjencave ka bërë një dosje për secilën shtëpi. Do thjeshtojmë procedurat e lejes, duhet të shfrytëzojmë kohën sa nuk kanë filluar shirat dhe s’ka ardhur i ftohti i dimrit, për t’u siguruar që një kompanie i varim në “qafë” një projekt dhe i themi: ke kaq muaj kohë ta dorëzosh, para Vitit të Ri. Po e bëmë me këtë ritëm, mund të ecim shumë shpejt”, theksoi Veliaj, ndërsa siguroi se falë verifikimeve të plota dhe punës në terren do të shmanget çdo rast abuzimi.

Ai shprehu mirënjohjen për qeverinë, deputetët socialistë dhe institucionet shtetërore që janë bërë bashkë për t’iu gjendur pranë njerëzve.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel