Falimenton kompania turistike, “Thomas Cook” le në tokë mijëra pasagjerë britanikë

23/09/2019 12:17

“Thomas Cook” ka pësuar kolaps pasi negociatat e minutat të fundit që kishin si qëllim të shpëtonin kompaninë e pushimeve 178-vjeçare, dështuan.

Autoriteti i aviacionit civil në Britaninë e Madhe tha se operatori turistik ka ndaluar aktivitetin me efekt të menjëhershëm. Kjo ka ndezur edhe operacionin  më të madh për kthimin në shtëpi të më shumë se 150 mijë pushuesve britanikë.

Peter Fankhauser, shef ekzekutiv i  Thomas Cook, tha se kolapsi i kompanisë ishte një ngjarje shumë tronditëse. Ndërsa kompania ka nisur tani procedurat e likuidimit të detyrueshëm, Frankhauser i kërkoi ndjesë edhe miliona klientëve dhe mijëra punonjësve. Dështimi i operatorit turistik, vë në rrezik 22 mijë vende pune në të gjithë botën nga të cilat 9 mijë në Britaninë e Madhe.

16 mijë pushues kishin prenotuar biletat për tu kthyer në shtëpi të hënën. Autoritetet shpresojnë të kthejnë të paktën 14 mijë prej tyre me fluturime Charter. Qeveria ka pajtuar 45 avionë për të kthyer në shtëpi pushuesit, avionë këta që do të përpiqen të fluturojnë në 64 trajektore të hënën, në atë që është etiketuar si operacioni Matterhorn.

Përmasat e kësaj flote, e bëjnë atë përkohësisht kompaninë e pestë më të madhe ajrore në Britaninë e Madhe. Operatorë përfshirë EasyJet dhe Virgin, kanë ofruar po ashtu disa avionë, me ndihmën që ka ardhur deri nga Malajzia.

Top Channel