Përmes një deklarate për shtyp, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka foli mbi situatën aktuale në vend, për pasojat dhe masat e marra pas tërmetit duke i garantuar qytetarët që i gjithë shteti është në këmbë për të përballuar këtë situatë.

“24 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne. Kanë qenë ore të një lodhje jo thjesht fizike, por edhe psikologjike. Dhe besoj që në momente si këto është më e rëndësishme se kurrë, që qytetarët të jenë të informuar për atë që po ndodh, dhe të kenë një pasqyrë sa më të qartë të të gjithë situatës.
Siç është thënë sot disa herë, jo vetëm në komunikimet zyrtare, por edhe nga komunikimet me ekspertë sizmologë në media, situata sizmike duket se e ka kaluar momentin e saj më të rrezikshëm. Është e vërtetë që gjatë natës së djeshme janë shënuar disa lëkundje relativisht të forta, por mbi 300 lëkundjet e tjera që janë regjistruar në 24 orët e fundit kanë pasur një trend në ulje, ku pjesa dërrmuese kanë qenë nën 3 ballë e madje shumica nën 2 ballë”, u shpreh ajo.

“Edhe pse parashikimi i tërmeteve është i pamundur, sizmologët janë unanimë lidhur me faktin që, trendi në zbritje i fuqisë së lëkundjeve është shenjë e një stabilizimi të situatës. E di që pas asaj që kanë përjetuar dje shumë qytetarë janë ende të frikësuar, por është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit.
Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve.
Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate. Ka një mobilizim të të gjitha resurseve dhe energjive të shtetit shqiptar si kurrë më parë. Pasi edhe pse situata duket e tejkaluar, edhe pse dëmtimet fatmirësisht rezultojnë modeste, kemi zgjedhur të kalojmë në një gjendje gatishmërie maksimale duke e kuptuar fare mirë që kjo është ajo që presin dhe që meritojnë qytetarët në këto orë të vështira për të gjithë”, vazhdoi Xhaçka.

Më tej tha:

“Kështu, janë shpërndarë në terren dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës. Numrat e emergjencës kanë funksionuar në mënyrë shumë të kënaqshme pavarësisht fluksit të madh të telefonatave.  Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm.
Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore.”

Ndër të tjera deklaroi:

“Unë dua t’i garantoj qytetarët që i gjithë shteti eshtë në këmbë për të përballuar këtë situatë e për t’i mbështetur ata në këto orë të vështira. Gjatë 24 orëve të fundit ne kemi mundur të testojmë në terren mekanizmin e ri të përballimit të emergjencave që ka hyrë në fuqi pas kalimit të ligjit për Mbrojtjen Civile. Jam e kënaqur me mënyrën sesi ky mekanizëm ka funksionuar edhe pse puna për konsolidimin e tij është thjesht në hapat e para. 24 orët e para pas tërmetit ishin sigurisht orë emergjence kur presioni mbi çdo drejtues e çdo efektiv, mjek apo punonjës të përfshirë në këtë sipërmarrje ka qenë i jashtëzakonshëm. Dua t’i falënderoj të gjithë për punën e bërë dhe besoj që sot çdo qytetar duhet t’u jetë mirënjohës këtyre burrave e grave, djemve e vajzave, të cilët sigurisht kanë përjetuar të njëjtën frikë e ankth si çdo qytetar i Tiranës e Durrësit, por janë ngritur në lartësinë e detyrës. Duke falenderuar edhe qytetaret per pjekurinë dhe bashkëpunimin e treguar do te vazhdoj tju informoj per cdo zhvillim ne orët dhe ditet ne vijim.”

Top Channel