Gjendja pas tërmeteve, Veliaj: Sot kemi 24 orët e para të rikuperimit, kontribuoni me veshje apo ushqime

22/09/2019 19:31

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me zv/Kryeministrin Erion Braçe dhe deputeten e PS, Blerina Gjylameti, vizitoi të prekurit në qendrën sociale “Misto Mame” në Kombinat, ku shërbeu edhe drekën për të gjithë të pastrehët.

Kryebashkiaku theksoi se se ky është një moment për të treguar më shumë solidaritet me njëri-tjetrin dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë.

“Janë disa gjëra që i kemi vetë në dorë, por janë disa gjëra që nuk i kemi në dorë. Ajo që kemi në dorë është si të përgjigjemi kur na ndodhin këto fatkeqësi, edhe ajo që besoj që kemi në dorë sot, është solidariteti”, tha Veliaj.

“Disa nga rastet më të vështira, kemi pasur njerëz të paralizuar, ose ata që kanë nevoja imediate mjekësore, si marrja e insulinës, janë strehuar në qendrat sociale. Qendrat sociale do mbahen hapur si mensa duke shtuar vaktet; sot kemi shtuar një hapësirë tjetër, ndërkohë që përdorim vetëm një nga hapësirat, por edhe si kapanone për shtretër. Po është ndërtesë, por janë 1-katëshe, gjithsesi janë shumë më të mbrojtura sesa ndërtesat e tjera që mund të paraqesin rrezikshmëri. Por, duket sikur më e keqja kaloi, tani duhet të fokusohemi që të rikuperojmë shpejt, edhe të tregojmë që Tirana kur bëhet bashkë i mbijeton me sukses çdo lloj sfide”, theksoi ai.

Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë në këto ditë me veshje, ushqime apo dhe me punë si vullnetarë.

“Kemi filluar duke dhënë shembullin të parët që të shërbenim një pjatë supë; nëse është dikush që do të ndihmojë, bujrum, kemi gjithmonë nevojë për vullnetarë, për ushqime, për veshje. Kemi filluar në sheshin “Skënderbej” me një pikë ndihmash, por në çdo qendër sociale presim dhurata dhe kuti, me ushqime nga ato çfarë njerëzit kanë në shtëpi”, deklaroi kryebashkiaku, teksa deklaroi se puna do të vijojë në terren  për të verifikuar çdo rast që ka nevojë.

“Sot kemi 24 orët e para të rikuperimit dhe besoj se rikthimi në normalitet duke parë fëmijët që rrëshqasin dhe janë i janë kthyer lodrave, tek familjet që i janë rikthyer rutinës së tyre, tek riparimet e vogla që secili mund t’i japë pak dum vetë, për t’i dhënë mundësi shtetit, qeverisë, bashkisë të fokusohet te ata që janë realisht raste unike. Do të vazhdojmë me kolegët për të verifikuar disa prej tyre dhe për t’i parë në terren në Kashar”, siguroi Veliaj.

Zv. Kryeministri Erjon Braçe deklaroi se të gjitha strukturat shtetërore, duke filluar nga Bashkia e Tiranës, janë në terren pranë njerëzve. Ai theksoi se tashmë është momenti që të fillojë puna për riparimin e dëmeve materiale.

“Është fat i madh që nuk kemi pasur dëme në jetë njerëzore, që ka qenë prioritare dhe parësore. Pjesa tjetër e akomodimit, vlen për të falënderuar të gjitha strukturat e Bashkisë së Tiranës që i janë gjendur njerëzve, ashtu siç strukturat e policisë dhe të shëndetësisë, që janë marrë me ata jo vetëm ata që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti, por edhe gjithë të tjerët që për shkak të emocioneve të krijuara gjatë asaj periudhe. Tani është momenti që të fillojmë të merremi me dëmet strukturore që kanë ndodhur në dëmet materiale që kanë ndodhur në strukturat e banimit”, tha Braçe.

Edhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti falenderoi strukturat e Bashkisë së Tiranës, të policisë dhe të emergjencave për menaxhimin shumë të mirë që iu bë kësaj situate. “Dua të falenderoj të gjithë, në mënyrë të posaçme strukturat e bashkisë, që u gjendën pranë, atyre të Policisë së Shtetit dhe po ashtu edhe të Emergjencave Civile, në mënyrë të tillë që arritëm që në pak kohë të menaxhonim edhe panikun e njerëzve. Vlen shumë për t’u përmendur dhe për t’u bërë thirrje që nuk ka vend për panik, por ka vend për siguri, ka vend që institucionet përgjegjëse të japin fjalën e tyre, të japin vlerësimet e tyre për godinat, në mënyrë të tillë që qytetarët të kthehen në banesa”, deklaroi ajo.

Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti, në zonën e Kombiantit janë ngritur disa pika si në qendrën sociale “Misto Mame”, shkolla “Betim Muço”, njësia administrative, si dhe një pikë në sheshin “Garibaldi”.

Top Channel