Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë forca ushtarake në Arabinë Saudite, një ditë pas sulmit kundër rafinerisë së naftës.

Ministri i Mbrojtjes, Mark Esper, u tha gazetarëve se dërgimi i trupave do të ishte përgjigje ndaj kërkesës së Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara për t’ju ndihmuar në përmirësimin e sistemit ajror të mbrojtjes. Numri i trupave nuk është bërë i ditur ende.

Rebelët Huthi të Jemenit kanë marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj rafinerive të naftës javën e kaluar. Por, SHBA dhe Arabia Saudite kanë fajësuar Iranin për sulmin. Më herët të premten, presidenti Trump ka njoftuar për sanksionet e nivelit më të lartë kundër Iranit, duke theksuar se do ta shmang konfliktin ushtarak.

Sanksionet e reja do të fokusohen në Bankën Qendrore të Iranit dhe pavarësisë financiare, kishte thënë Trump. Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë foli për mundësinë e një takimi midis Trumpit dhe presidentit iranian, Hassan Rohani, i cili do të shënonte një kthesë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet SHBA-Iran.

Sulmi paralizoi rreth gjysmën e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite, çfarë do të thotë ndërprerja më e madhe e furnizimeve botërore që është parë ndonjëherë.

Zyrtarë anonimë të Shteteve të Bashkuara thanë se drejtimi dhe shtrirja e sulmit hedhin dyshime për përfshirjen e rebelëve Huthi. Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar qëkur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin vitin e kaluar dhe sërish vendosi sanksione mbi ekonominë iraniane, për shkak të programit bërthamor dhe balistik të këtij vendi.

Trump tha se Pompeo dhe zyrtarë të tjerë do të udhëtojnë së shpejti në Arabinë Saudite. Sulmi e uli prodhimin e naftës së papërpunuar në botë me 5 për qind dhe shkaktoi rritjen e çmimeve deri në 19 për qind. Arabia Saudite është eksportuesja më e madhe e naftës në botë, e cila shet mbi shtatë milionë fuçi në ditë.

Top Channel