“Një gjykatë shqiptare e shpalli fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të enjten për shpërdorim detyre por të pafajshëm për trafik droge, dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim provë” kështu shkruan agjencia e lajmeve Reuters pas vendimit të djeshëm.

Prokurorët donin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë.

Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rritë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni i BE, shkruan Reuters.

“Gjykata tha që nuk jam kriminel apo trafikant droge dhe nuk jam pjesë e një grupi kriminal, por më shpalli fajtor për shpërdorim detyre sepse kam përdorur të njëjtën makinë me disa kushërinj”, u tha Tahiri gazetarëve pas verdiktit, e cila u dha gjashtë orë më vonë se sa ishte planifikuar.

Socialistët në pushtet hodhën poshtë thirrjet për të hequr imunitetin e Tahirit nga ndjekja penale vitin e kaluar, por ai e hoqi dorë vetë nga imuniteti në maj pasi shtetet e BE kërkuan nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin nëse dëshironte të bashkohej.

Aktualisht Shqipëria po verifikon gjyqtarët dhe prokurorët e saj për korrupsionin për t’i dhënë fund një historie të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë, pasi synon të plotësojë kërkesat e hyrjes në BE, përfundon shkrimi i Reuters.

Top Channel