Miliona njerëz, nën moton, “Të premtet për të ardhmen” i janë bashkuar demonstrimeve që kërkojnë aksion për ndryshimet klimaterike, në dhjetëra qytete të botës, nga Londra në Nju Jork, nga Sidnei në San Francisko e Siatëll.

Madje nismës ndërkombëtare, i është bashkuar edhe Tirana. Organizatat rinore, kanë zgjedhur ta kryejnë protestën e tyre para kryeministrisë duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej: “Ndryshoni politikat, jo klimën” dhe “Sot për të ardhmen, nuk ka më kohë”.

Australia, ishte e para që nisi manifestimin, mëngjesin e të premtes, me organizatorët që thanë se rreth 300 mijë nxënës kishin bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar protestës në Melburn, Sidnei dhe qytete të tjera të vendit.  Shumë grupe janë përfshirë në organizimin e protestave, përfshirë nxënësit e shkollave, sindikatat, grupet ambientaliste dhe punonjësit e kompanive të mëdha teknologjike si Amazone dhe Google dhe kërkesat e tyre janë të ngjashme; reduktimi i përdorimit të karburanteve fosile në përpjekje për të ndaluar ndryshimet e klimës.

“Kriza e klimës është një emergjencë, ne duam të që të gjithë të fillojnë të punojnë”, thanë organizatorët në një faqe interneti dedikuar protestave të së premtes, duke shtuar se lëvizja do të mbahej në më shumë se 150 vende.

Demonstrimet do të përputhen me samitin e të hënës në Kombet e Bashkuara për klimën, ku sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres ka thënë se do të shohë qeveritë dhe bizneset të premtojnë se do të braktisin karburantet fosile.

 

 

FOTO GALERI
1/12

Top Channel