Qeveria së fundmi ka miratuar një plan të ri veprimi për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit. Ajo çfarë synohet është që i gjithë ky angazhim për goditjen e krimit, të shkojë sipas kontekstit aktual politik, e përkthyer ndryshe, vënia në zbatim paralelisht me reformën në drejtësi.

“Konkretisht edhe ngritja e organeve përkatësë që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit në vend pra SPAK Dhe BKH, si dhe reflekton edhe rezultatet e arritura deri tani në luftën kundër grupeve kriminale”, thotë zv ministri Besfort Lamallari.

Por çfarë do të përmirësojë ky plan i ri veprmi në luftën kundër krimit të organizuar?

“ Përfshin rritjen e numrit të hetimeve proaktive, përdorimin e metodave speciale në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive te
paligjshme kriminale. Dobësimin e pushtetit ekonomik të rrjeteve kriminale. Modernizmin e kapaciteteve të policisë shkencore. Rritjen e kapaciteteve dhe bërjen më efektive të strukturave kundër krimit ekonomik”, thotë ai.

Rol të rëndësishëm në luftën qe qeveria i ka shpallur krimit, pritet të jap edhe njësia e re speciale e policisë, e cila së shpejti do të hidhet në aksion për të kapur personat e shpallur në kërkim.

“ Ne shpresojmë që brenda këtij muaji ta prezantojmë në rrjetin ENFAsT dhe të marrim edhe rolin tonë krahas agjensive homologe për kapjen e personave më të rrezikshëm qofshin në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar’, shprehet ai.

Nëpërmjet këtij plani të ri veprimi, do të bëhet i mundur edhe shkëmbimi automatik i të dhënave me 12 vende të ndryshme të bashkimit europian dhe Europës juglindore. Ky shkëmbim përfshin gjurmët e gishtave, të dhënat e automjeteve dhe profileve të ADN-së.

Andi Bora

Top Channel