Ministria e Drejtësisë, si institucion lider për 3 nga 35 kapitujt e acquis, vijon t’i kushtojë vëmendje përgatitjes së bisedimeve në prag të vendimit për çeljes së negociatave.

Së fundmi, zv.ministrja Fjoralba Caka është takuar me përfaqësues të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për t’u dakordësuar lidhur me bisedimet dypalëshe që do të zhvillohen me BE për Kapitullin 23.

Detajet e takimit janë përcjellë nga zv.ministrja Caka e cila tregon çështjet që janë diskutuar:

“Ndërkohë që presim vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave, Ministria e Drejtësisë po punon intensivisht për çeljen e kapitullit 23 të acquis. Së bashku me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe GIZ, këtë javë zhvilluam një takim përgatitor në parapritë të takimit dypalësh të shqyrtimit të legjislacionit (bilateral screening) që do të kemi me Bashkimin Evropian për Kapitullin 23. Ky i fundit pritet të ndodhë pas hapjes së negociatave dhe në të do të diskutohen çështje të reformës në drejtësi, anti korrupsionit dhe të drejtave të njeriut. Me afrimin e tetorit dhe perspektivën e hapjes së negociatave, po punojmë dita-ditës për të identifikuar nivelin aktual të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE, sikurse edhe planifikimin e detajshëm për të rritur efikasitetin dhe kapacitetin e institucioneve shqiptare në angazhimin integrues në familjen e madhe evropiane. I gjithë procesi, i udhëhequr nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, me Ministrinë e Drejtësisë si institucion lider për 3 nga 35 kapitujt e acquis, po asistohet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Në këtë takim, krahas përfaqësuesit të GIZ dhe ekspertëve të nivelit të lartë, ishte i pranishëm edhe ish kryenegociatori i Malit të Zi”, shkruan Caka.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel