Tatimet e justifikuan rënien e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar me dy arsye; përjashtimi i nënkontraktorëve të gazsjellësit tap nga pagesa e kësaj takse dhe rënia e prodhimit të energjisë në vend.

“Në shtator të vitit të kaluar u përjashtuan nga pagesa e TVSH-së nënkontraktorët e TAP. Efekti i kësaj mase ishte -5 miliardë lekë i vërtetuar deri tani. Po kështu një tjetër efekt i paparashikuar ishte rënia e prodhimit energjisë ne vend, që ka një mungesë të ardhurash nga TVSH me 2.1 mld lekë”, ka thënë Xhavit Curri.

Për 8 muajt e parë të vitit administrata tatimore ka mbledhur rreth 4.3 miliardë lekë ose 35 milionë euro TVSH më pak se vjet. Por gjysma e kësaj rënie, ka ardhur vetëm në dy muajt e fundit korrikun dhe gushtin, kur ishte dhe kulmi i fushatës kundër informalitetit.

“Rritja e të ardhurave nga TVSH në korrik dhe në gusht nuk ishte ajo e pritshmja, por duke filluar nga ky muaj situata ka ndryshuar”, ka shtuar Curri.

Por sipas zëvendësdrejtorit të tatimeve, fushata kundër informalitetit nuk ka dështuar, përkundrazi.

“Në presim që rritja e të ardhurave të jetë e qëndrueshme edhe gjatë muajve në vijim”, tha Xhavit Curri.

Në total duke përfshirë doganat dhe burimet e tjera, të ardhurat në buxhetin e shtetit për 8 muajt e parë janë rritur me rreth 100 milionë euro krahasuar me vjet. Por në raport me planin ato janë 55 milionë euro më pak, dhe arsyeja kryesore e mosrealizimit janë pikërisht të ardhurat nga TVSH.

Top Channel