Maradona kërkon “këngëtarin futbollist”, Osvaldo la futbollin dhe po merret me muzikë

19/09/2019 11:11

Ka lënë futbollin prej 3 vitesh për t’iu përkushtuar një tjetër pasioni të tij, muzikës, por Pablo Daniel Osvaldo mund t’u rikthehet sërish fushave të blerta, këtë herë për t’iu bashkuar legjendës argjentinase Diego Armando Maradona, te skuadra e Gimnasia La Platas.

“Kam lexuar mbi këtë lajm, por nuk e di sa e vërtetë është. Shpresoj që Diego të mos më telefonojë, pasi është e pamundur t’i them jo. Nëse më telefonon, të shohim, por deri atëherë jam i përqendruar të këndoj me bandën time”, tha argjentinasi.

Dani Osvaldo e nisi karrierën me Huracan në Argjentinë, ndërsa në moshën 20-vjeçare u transferua në Itali, për të veshur fanellën e Atalantës. Më pas në Serinë A luajti edhe për ekipe si Lecce, Fiorentina, Bologna, Roma, Juventus e Inter, ndërsa jashtë Italie u aktivizua për Porton, Espanyolin e Southamptonin, para se të rikthehej në Argjentinë te Boca Juniors.

Pikërisht këtu, në verën e 2016-ës, kur ishte vetëm 30-vjeç, Osvaldo vendosi të tërhiqet nga futbolli, për t’iu përkushtuar pasionit tjetër të tij, muzikës, ku është angazhuar në një grup rroku të quajtur “Barrio Viejo” (Lagjja e vjetër), me të cilin ka bërë disa turne në Evropë dhe botë.

 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel