Zgjedhjet e dyta të përgjithshme brenda 5 muajsh në Izrael, Benjamin Netaniahu po përpiqet t`i fitojë me një zotim të fortë: kryeministri thotë se po e mori sërish votën e izraelitëve, do t`i aneksojë të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.

“Synimi im është ta zgjeroj sovranitetin në të gjitha vendbanimet dhe blloqet e banimit”, duke përfshirë “objektet që kanë rëndësi sigurie ose janë të rëndësishme për trashëgiminë e Izraelit”, ka thënë Netanyahu.

Lideri më jetëgjatë në politikën izraelite kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi nuk arriti të krijonte një koalicionin qeverisës pas votimeve te muajit prill. Ai po zhvillon betejën e tij më të ashpër për të fituar një mandat të pestë rekord për të qëndruar në pushtet edhe pse përballet me akuza të mundshme për korrupsion.

Sondazhet e opinionit e vendosin partinë e djathtë Likud të Netanyahut shumë pranë rivales kryesore, partisë së qendrës, bardh e blu të drejtuar nga ish kreu ushtarak, Benny Gantz.

Shefi i Ekzekutivit të shtetit hebre ka bërë disa premtime të forta fushate në përpjekje për të afruar votuesit nacionalistë. Ai u zotua të aneksojë Luginën e Lumit Jordan, një zone të cilën palestinezët e konsiderojnë si tokë bujqësore kryesore për çdo shtet palestinez që mund të krijohet në të ardhmen.

Në shenjë proteste, Autoriteti Palestinez mbajti të hënën një mbledhje kabineti në fshatin Fasayil të luginës, një ditë pasi kabineti izraelit zhvilloi një takim diku tjetër po në luginë.

Top Channel