Drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato u kallëzua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” mbi dyshimet e se ka shpërdoruar detyrën, shkelur barazinë në tendera dhe ka kryer korrupsion. Kallëzuesit kërkojnë hetime përsa i takon skualifikimit të shoqërisë për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Në kallëzimin penal, përmes të cilit kërkohet gjithashtu edhe shpërblimi i dëmit moral dhe ekonomik nga zonja Qato, pretendohet se jo vetëm është shkelur ligji, por është cënuar gjithashtu edhe siguria e shoqerisë nëpërmjet inspektimeve të njëanshme të ARRSH që konkluduan se kishte falsifikim dokumentash  gjatë tenderimit.

Rruga Kardhiq-Delvinë ka një histori të gjatë dhe ende nuk po mbaron. Në tenderin për lotin  7 të rrugës Kardhiq-Delvinë garuan 6 kompani. Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të një bashkimi të katër shoqërive mes të cilave italianja “Ircop” dhe shqiptarja “Sulova”. Por vendimi i ARRSH u ankimua nga kompania Gjoka, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në tender, saktësisht 4.3 milionë euro më pak se oferta që ARRSH shpalli fituese. Komisioni e gjeti të paligjshëm vendimin e ARRSH duke e urdhëruar atë të ndryshojë fituesin. Por Sonila Qato refuzoi ta zbatonte vendimin duke akuzuar kompaninë Gjoka se kishte falsifikuar dokumentat në tendera. Më pas Ministria e Infrastrukturës vendosi që ta mbyllë çështjen duke urdhëruar ARRSH që të anulojë gjithë procedurën sepse fondi do të përdoret në një tjetër projekt më prioritar.

Anila Hoxha

Top Channel