77-vjetori i Konferencës së Pezës, fillesa e luftës Antifashishte u vesh me ngjyrat e aktulitetit të brishtë politik në vend, duke bërë bashkë presidentin Ilir Meta dhe mazhorancën e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Sakrificën e pezakëve më 16 shtator 1942 presidenti Meta e lidhi me klasën e sotme politike.

“Pezë, sakrificë si asnjë krahinë tjetër. Peza u martirizua, u dogj, por nuk u dorëzuar asnjëherë. Konferenca e Pezës hodhi themelet antifashiste dhe ishte konferenca e parë pluraliste. Përvjetori i çlirimit na fton të ruajmë vlerat për edukimin e brezave, pasi gjithçka ka sot Shqipëria është falë sakrificës. Sot objektivi kombëtar është integrimi dhe s’duhet vonuar nga antagonizmi politik dhe duhen lënë mënjanë interesat e ngushta politike”, tha presidenti.

Por Erion Braçe, i ndërprerë disa herë gjatë fjalës prej duartrokitjeve, përmendi tradhtarët e vjetër të luftës dhe ata të rinj të rreshtuar sot, kundra përëndimit.

“Jemi mësuar të dëgjojmë se lufta nuk ishte dhe se nuk solli dëshmorë. Por lufta nuk është ndërtuar nga Kinostudio ‘Shqipëria e Re”. Por lufta ishte e vështirë, pati gjakderdhje. Gjatë kësaj lufte nuk bëmë asnjë gabim, populli shqiptar nuk gaboi, kur organizoi rezistencën. Nuk gabuam kur erdhëm këtu në Pezë dhe i bëmë thirrje popullit shqiptar të bashkohen. Nuk gabuam kur krijuan Ushtrinë Nacional Çlirimtare madje duke korrigjuar edhe ato akte të turpshme. Mos i harroni tradhtarët as tradhtia nuk është e Kinostudios. Qeveritë i shpallën luftë Anglisë, Francës dhe në dhjetor edhe SHBA, është i vetmi akt i turpshëm që politikanë kohë pas kohe kanë ndërmend dhe marrin ti shpallin luftë perëndimin. Ishte populli që e korrigjoi vendimin e atyre qeverive, ishin shqiptarët që u bënë palë me koalicionin më të madh Antifashist. Ishin shqiptarët, bura dhe gra, djem dhe vajza që i dhanë këtij vendi lirinë dhe pavarësinë”, u shpreh Braçe në fjalën e tij.

Kryebashkiaku Veliaj nuk kurseu një shtrëngim duarsh me Ilir Metën, president i kthyer në një kritik të fortë të mazhorancës, ndërsa nuk nguroi të lëshonte thumba, jo vetëm ndaj Presidentit.

“Themi 1001 të zeza me njëri tjetrin, jo vetëm në kafene po edhe në debate politike, por mos harrojmë të themi disa të mira për njëri tjetrin. Presidenti e tha me të drejtë, ka qenë edhe një hapësirë pluralizmi, të gjithë e dimë që ishte në Pezë, po vetëm partizanët vajtën shkrepën armët. Pushka sot nuk është vetëm plumb, është edhe fjala. Presidenti e tha me të drejtë se Peza ishte konferenca e pluralizmit. Pluralizëm edhe në beteje, jo vetëm në tryeza. Se kur krisi pushka, një pjesë e Konferencës nuk doli në beteje. Duhet pluralizëm dhe kur vjen beteja elektorale, e jo ca të tuten e të thonë nuk vemi në betejë”, u shpreh Veliaj.

Top Channel e pyeti presidentin Ilir  Meta nëse Shqipëria ka nevojë për një riformatim të klasës politike, pasi ai një ditë më parë tha se demokracia është në rrezik. Përgjigja e presidentit ishte një aprovim i qëndrimit gjerman për çelje negociatash me kusht.

“Antagonizmi politik e ka vonuar shumë procesin e integrimit, çdo akt i imi ka qenë në funksion të realizimit të këtij qëllimi. “Nëse do të ketë kushte do të ketë për çdo institucion dhe aKtor, që secili të mbajë përgjegjësi”, u shpreh ai duke shtuar se nga këtu do të kuptohet se kush realisht është pengesë për procesin në fjalë.

Edhe këtë 77-vjetor të Konferencës së Pezës nuk munguan nostalgjikët e Enver Hoxhës, të cilët edhe ata kryen homazhe.

 

 

 

Top Channel