Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka publikuar sot raportin shpjegues që i ka dorëzuar Komisionit të Venecias, delegacioni i të cilit ishte javën e shkuar në Tiranë i thirrur nga Kuvendi në kuadër të Komisionit Hetimor.

Në raport janë renditur 21 shkelje, problematike dhe veprime që janë ndërmarrë që nga caktimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, te shfuqizimi i dekretit dhe deri te raporti i OSBE/ODHIR për procesin e votimit.

Aty janë veçuar edhe dosjet 138 dhe 399, si dhe përpjekjet e Presidentit për vendosjen e dialogut midis partive politike.

Në konkluzionet e raportit thuhet:

Në kushtet e një krize të rëndë të paprecedentë politike, kushtetuese, institucionale dhe
përfaqësimi ku:
1. Palët politike u vendosën në një kurs konstant përplasjeje dhe refuzuan dialogun;
2. Opozita hoqi dorë në bllok nga mandatet parlamentare. 182 deputetë dhe kandidatë
për deputetë të opozitës u dorëhoqën dhe refuzuan në bllok mandatet parlamentare.
3. Opozita parlamentare aktuale përftoi mandatet në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe
procedurave legjislative;
4. Parlamenti nuk u plotësua me numrin kushtetues të 140 deputetëve për shkak të
shterimit të listave të kandidatëve nga partitë e opozitës;
5. Parlamenti humbi rolin mbikqyrës ndaj ekzekutivit;
6. Parlamenti dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzojnë njohjen e autoritetit
kushtetues të Presidentit të Republikës;
7. Gjykata Kushtetuese është jo funksionale prej 18 muajsh;
8. Gjykata e Lartë është jo funksionale;
9. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjodh në mënyrë të njëanshme
antikushtetuese;
10. Prokuroria nuk veproi për zbardhjen e krimeve zgjedhore të konsumuara në vitet 2016
– 2017 – Dosjet 184 (Bashkia Dibër) dhe 339 (Bashkia Durrës);
11. Opozita refuzoi regjistrimin si konkurrent zgjedhor për zgjedhjet lokale;
12. Mazhoranca këmbënguli të garonte e vetme për të marrë në administrim të 61
bashkitë e vendit dhe këshillat e tyre;
13. Zhvillimi i protestave periodike kombëtare të shoqëruara me akte dhune dhe
vandalizmi si dhe reagim shproporcional nga forcat e rendit, me pasojë plagosje të
shumta nga policia e shtetit dhe qytetarët;
14. Përdorimi i gjuhës armiqësore dhe thellimi i ndasive çoi në rritjen e frustrimit
shoqëror dhe emigracionin masiv;
15. Rritja e pasigurisë ndikoi në ekonominë e vendit.
16. Refuzimi i Kryeministrit për të pranuar ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës e në
vecanti përcaktimin e një date të re gjithëpërfshirëse përvec 30 qershorit;

Presidenti i Republikës vlerësoi se duhet të ndërhynte në mënyrë të tillë që t’u ofronte palëve kohë për reflektim dhe për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut të pazëvendësueshëm politik, duke siguruar njëkohësisht moscënimin e parimeve kushtetuese të pluralizmit politik dhe kthimin e paqes sociale në vend.

E gjithë sjellja e Presidentit të Republikës dhe përpjekjet e tij, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe për detyrimet që duhen përmbushur veçanërisht për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE, kanë synuar shmangien e një konflikti civil, të një procesi të dështuar zgjedhor dhe realizimin e zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike për të përmirësuar besueshmërinë e vendit në përmbushjen e kritereve politike në prag të 17-18 tetorit 2019, kur do të merret vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë.

->RAPORTI I PLOTË

Top Channel