Bashkimi Evropian do të vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, një veprim ky të cilin e konsideron si dëshmi të përkushtimit ndaj proceseve demokratike në vend.

Shefja në largim e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka caktuar anëtaren e Parlamentit Europian, Viola von Cramon-Taubadel, si shefe të Misionit Vëzhgues, thotë VOA.

Në njoftimin e zyrës së Mogherinit sqarohet se “Kosova mbetet përparësi politike për BE-në dhe vendosja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve konfirmon angazhimin dhe përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur proceset demokratike atje”.

Njoftimi përcjell bindjen se misioni do të ndihmojë mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transparente.

“Këto zgjedhje zhvillohen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila duhet të lëvizë vendosmërisht përpara në rrugën europiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Mogherini.

Zgjedhjet e reja në Kosovë pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje partive politike që të krijojnë një mjedis të qetë e të sigurt për zgjedhjet e 6 tetorit dhe të shmangen keqpërdorimet e votës dhe frikësimet e kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në zgjedhjet e kaluara.

Irida Vasia

Top Channel