Remi Cavagna është fituesi i etapës së 19 të xhiros së Spanjës, 165.2 km e gjatë. Çiklisti i skuadrës Deceuninck Quick Step ishte autori i një shkëputjeje fantastike pasi 20 km të para dhe arriti të rezistojë deri në fundin e etapës.

Ciklisti francez e fitoi këtë etapë me kohën 3 orë 43 minuta e 34 sekonda duke lënë në vendin e dytë irlandezin Sam Bennett me 5 sekonda më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua çiklisti cek Stybar edhe ky me 5 sekonda më shumë se Cavagna.

Primoz Roglic ishte me fat në këtë etapë ku u bë protagonisti i një rrëzimi së bashku me një grup çiklistësh të tjerë, një situatë nga e cila duket se kërkuan të përfitojnë rivalët e tij të skuadrës së Movistar, Quintana e Valverde të cilët u larguan menjëherë, një veprim që u konsiderua antisportive nga çiklistët e tjerë.

Gjithsesi edhe pas kësaj etape dhe incidentit të ndodhur, Roglic vazhdon të mbajë vendin e parë i ndjekur nga Valverde që është rikthyer në vendin e dytë me 2 minuta e 51 sekonda më shumë, ndërsa në të tretin është Quintana me 3 minuta e 31 sekonda më shumë se Roglic.

Top Channel