Policia e Tiranës arrestoi një 22-vjeçar që mbante një armë zjarri “Glock Austria” me një krehër me dhjetë fishekë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi e ndarë në doza.

Arrestimi është bërë pas lajmërimit që i bënë policisë banorë të Tiranës që kishin parë se 22-vjeëari qarkullonte i armatosur.

Ja njoftimi i operacionit “Kryqëzimi”:

Operacioni nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët.

Sekuestrohet armë zjarri, armë e ftohtë, lëndë narkotike, mjet e aparat celular.

Në pranga 22-vjeçari që posedonte sendet e kundraligjshme.

Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, armë të ftohta e lëndë narkotike, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, finalizuan operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– R. D., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Në rrugën “Teodor A. Ipen”, punonjësit e policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar për kontroll mjetin me drejtues shtetasin R. D. Gjatë kontrollit të ushtruar në sediljen e parë të mjetit është konstatuar një çantë krahu, brenda të cilës ndodheshin: një armë zjarri pistoletë “Glock Austria” me një krehër me dhjetë fishekë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi e ndarë në doza.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë “Glock Austria” me një krehër me dhjetë fishekë; një armë e ftohtë thikë ; një sasi lënde e dyshuar kanabisi e ndarë në doza; një mjet dhe aparat celular.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. D., dhe materiale u referuan për veprime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale  “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Top Channel