Juvja jo për turizëm në Toskanë, në Premier duel në distancë mes Liverpoolit dhe City-t

14/09/2019 12:19

Në Itali, tri nga skuadrat pjesëmarrëse në Champions zbresin në fushë pikërisht ditën e shtunë. Kështu Juventusi do të masë forcat në Firenze, në orën 15:00, me skuadrën vjollcë, pa dyshen e mbrojtjes Chiellini – De Sciglio, por sidoqoftë “bardhezinjtë” udhëtojnë drejt Toskanës plot besim, pas suksesit në duelin e drejtpërdrejtë me Napolin dhe fitoreve radhazi që “Zonja e Vjetër” ka arritur të regjistrojë në ndeshjet e fundit ndërmjet tyre.

Napoli do të zbresë në “San Paolo” në orën 18:00 për t’u ndeshur me Sampdorian, natyrisht me mendjen te ekipi i Liverpoolit, ndërsa në mbrëmje Interi i Antonio Contes do të presë në “San Siro” skuadrën e Udinezes.

Në Francë, ora 17:30, ofron takimin Paris SG – Strasbourg, ndërkaq një hapësirë të veçantë e zë Premier League, ku kampionët në fuqi të Manchester City-t do të përballen në Norfolk, në orën 18:30 në stadiumin “Carrow Road” me Norwich City-n. Në fakt, emocionet e kampionatit më të vjetër në botë vijnë që në orën 13:00 me takimin hapës të javës së pestë, Liverpool – Newcastle United.

Në Bundesligë orari 15:30 rezervon duelin interesant Borusia Dortmund – Leverkusen, ndërsa në 18:30 spikat në “Red Bull Arena” dueli që vendosi edicionin e fundit në DFB Pokal, Leipzig – Bayern Munchen, ndeshje të cilat gjithë të apasionuarit e futbollit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

Në Eredivisie radhën për të luajtur e kanë pikërisht dy skuadrat më të mira të kampionatit holandez. Kështu Ajaksi do të përballet në Amsterdam në orën 18:30 me Heerenveen-in, ndërsa PSV-j a do të ndeshet në Eindhoven me skuadrën e Viteses./supersport.al

Top Channel