Gjermania i vjen në ndihmë Italisë për refugjatët.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer njoftoi se qeveria gjermane do të respektojë kuotën e 25%, pra do të pranojë një në katër refugjatë të shpëtuar në det.

“E kam thënë gjithmonë, që politika jonë e emigracionit është edhe humane. Ne nuk do të lëmë njeri të mbytet. Nëse gjithçka mbetet si është rënë dakord, ne do të marrim 25% të njerëzve të shpëtuar në det, para Italisë. Kjo nuk e rëndon politikën tonë të migracionit”, tha Seehofer për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

Në 12 muajt e fundit , në Gjermani kanë mbërritur nga Italia 561 refugjatë të shpëtuar në det. Për gjetjen e një zgjidhjeje të kësaj situate, Malta u bë nismëtare e një takimi në 23 shtator në Vitoriosa me përfaqësues nga Gjermania, Franca, Italia dhe presidentja e radhës së BE, Finlanda për të diskutuar mundësitë e një kuote të përkohshme shpërndarjeje.

Kjo hedh poshtë idetë e Seehoferit për t’i dërguar refugjatët fillimisht në zona pritjeje ku të trajtohet procedura e azilit në vendet e Afrikës Veriore.

“Për këtë duhen dy vende afrikane, që ta mbështesin iniciativën, dhe ato nuk ekzistojnë”, pohoi ai.

Në tetor do të paraqitet propozimi i vendeve të ftuar në Malta para Këshillit Europian, dhe pritshmëria është që këtij projekti, ti bashkohen edhe shtete të tjera. Italia dhe Malta kanë ndaluar herë pas here hyrjen e emigrantëve të shpëtuar në det në portet e tyre.

Top Channel