Kur ka mbetur diçka më shumë se një muaj nga mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-s, kryeministri Edi Rama për më shumë se 40 minuta është takuar në Berlin me kancelaren Angela Merkel.

“Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë”, tha Rama.

Megjithatë, thekson kryeministri Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet diskutimeve ne grupet e Bundestagut.

“Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që, pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri nuk jep shumë detaje nga takimi me Merkel, por duket i kënaqur kur thotë.

“Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë.

Kështu që jemi në një moment që atmosfera është pozitive, por duhet që të përpiqemi deri në fund dhe të përpiqemi, le të themi, që të mos marrim më sysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe|, tha ai.

Një burim nga takimi Merkel Rama, i tha Top Channel se “ishte një bashkëbisedim shumë pozitiv duke theksuar se kancelaria po influencon drejtpërdrejt në procesin e çeljes së negociatave, duke marrë lidershipin e këtij procesi. Kryeministri ishte në Bundestagun gjerman.

Deputeti socialdemokrat Christian Petry, i tha Deutsche Welles, se partia e tij është duke finalizuar kompromisin me aleatet dhe se po shtohen gjasatat që në datat 26 ose 27 shtator të votojmë për një “Po, me kushte”.

Muhamed Veliu

  Rama flet pas takimit me Merkel: Do bëjmë çmos që zëri i Gjermanisë të jetë në favor të Shqipërisë

Top Channel