“Johnson, hajdut banke”, kryetari i dorëhequr i parlamentit kritika kryeministrit

13/09/2019 12:27

Gjatë një fjalimi të mbajtur në Londër, kryetari në ikje i Parlamentit britanik i zgjedhur në këtë post nga konservatorët në pushtet, paralajmëroi kyeministrin Boris Johnson, se parlamenti do jetë po aq kreativ në procedurat parlamentare, sa ai, nëse kryeministri do të pengojë shtyrjen e daljes së Britanisë nga BE-ja dhe nëse kryeminisri do të injoronte ligjin e projektuar për të frenuar daljen e Britanisë pa marrëveshje.

John Bercow ka deklaruar se kryeministri Boris Johnson do të vepronte njësoj si “një hajdut banke, që e justifikon krimin duke ia dhënë paratë e vjedhura një shoqate bamirësie”, nëse ai do refuzonte të shtynte Brexit-in për të shmagur daljen e Britanisë pa marrëveshje me Bashkimin Evropian.

Ai po ashtu paralajmëroi se Britania do të mund të dalë nga BE-ja muajin e ardhshëm, vetëm me pëlqimin e Parlamentit.

Parlamenti, i cili është i pezulluar me kërkesë të Shefit të Ekzekutivit britanik, një kërkesë e debatueshme, e cila do të shqyrtohet të martën e ardhshme nga Gjykata e Lartë Britanike për vlefshmërinë e saj, ka miratuar një ligj, që e detyron Boris Johnson-in të kërkojë shtyrjen deri më 31 janar të vitit të ardhshëm të Brexit-it, në rast se nuk arrihet një marrëveshje që aprovohet nga parlamenti, deri më datën 19 tetor.

Ndërkohë janë shtuar spekullimet për një ndryshim të qëndrimit të deputëteve nga Irlanda e Veriut, për çështjen e kontrollit doganar mes Irlandës, pjesë e BE-së dhe Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë. Kujtojmë se janë këta deputetë që kundërshtuan marrëveshjen e arritur mes Teresa May dhe BE-së, votat e t cilëve mbanin në këmbë qeverinë, e që çuan në dorëheqjen e saj nga posti.

Mes shumë të panjohurave në procesin e gjatë dhe të lodhshëm të Brexit-it, dy syresh po kristalizohen; e para, se Brexit-i do të ndodhë, pavarësisht nga koha se kur, dhe se çdo dalje nga BE-ja do duhet të ketë vulën përfundimtare të parlamentit britanik.

 

 

Top Channel