Shefi ekzekutiv i kompanisë kineze, Huawei ka dalë më një propozim të papritur: atë të shitjes së njohurive aktuale të rrjetit 5G në një firmë perëndimore, si një mënyrë për të zbutur shqetësimet e sigurisë të shprehura nga SHBA-ja dhe disa vende të tjera.

Ren Zhengfei sqaroi se blerësi do të ishte i lirë të “ndryshojë kodin e softwer-it”. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se gjiganti kinez i teknologjisë paraqet rrezik për sigurinë kombëtare, dhe kjo lëvizje do të lejonte që të metat ose gabimet e supozuara të adresohen pa përfshirjen e Huawei-t.

Planet e kompanisë për rrjetin 5G mund të përjashtohen nga Rumania; Australia ua ka ndaluar ndërkohë rrjeteve atje përdorimin e pajisjeve të Huawei-t e Britania e Madhe gjithashtu po mendon të ecë në gjurmët e tyre. Huwaei vazhdon t’i mohojë pretendimet se do të ndihmonte qeverinë kineze për të spiunuar apo dëmtuar sistemet e telekomunikacionit të vendeve të tjera.

Kompania thotë se është një ndërmarrje private në pronësi të punëtorëve të saj. Në muajin maj, Washington-i e përfshiu në listë të zezë Huawei-n, duke pretenduar se kompania kineze është përfshirë në aktivitete në kundërshtim me sigurinë kombëtare të SHBA-së, ose interesat e politikës së jashtme.

Siguria aktuale e pajisjeve të kompanisë Huawei është më e keqe se ajo e kompanive konkurrente perëndimore, ka thënë, kohë më parë, Ian Levy, drejtor i Qendrës Kombëtare për Siguri Kibernetike të Britanisë së Madhe, gjatë një konference në Londër.

Top Channel