Maqedoni e Veriut/ Dështon takimi Zaev-Mickovski për marrëveshjen mbi ligjin për Prokurorinë Publike

12/09/2019 04:31

Pas bisedimeve maratonë dështoi takimi midis kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të opozitës maqedonase Hristijan Mickovski për një marrëveshje mbi ligjin për Prokurorinë Publike.

Zaev foli për mediat pas takimit dhe e akuzoi kreun e opozitës se ka tentuar t’i mbrojë ish-zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për shpërdorim detyre në periudhën e qeverisjes së vendit.

“ Kisha shpresë se do të arrijmë një zgjidhje dhe të ecim përpara, por kërkesa e opozitës është kundër çdo logjike, është kundër BE-së, NATO-s, kundër vlerave e parimeve të shtetit ligjor. Besoja se më në fund do të heqin dorë nga paraardhësit e tyre, do të lenë mënjane Gruevksin dhe idete e tij e do te punonin për të ardhmen e vendit, por kjo nuk ndodhi. VMRO-DPMNE-ja kërkon që rastet e Prokurorisë Speciale të jenë nën kontrollin e tyre, të mbyllet procedimi i tyre, të gjitha procedurat para-hetimore dhe hetimore, që të heshtim krimin që është bërë. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë”, ka deklaruar kryeministri maqedonas.

Mësohet se qeveria kishte ofruar formimin e një prokurorie të re që do të ndjekë korrupsionin e lartë dhe ku prokurori i parë do të zgjidhet me propozim të opozitës. Zaev është shprehur i gatshëm për vazhdimin e negociatave – e siç thotë – është në pritje të opozitës nëse ndërron mendjen dhe pranon kompromisin e ekzekutivit.

Top Channel