Kryeministri Johnson gënjeu mbretëreshën? Çfarë fshihet pas pezullimit të parlamentit

12/09/2019 16:54

Boris Johnson mohoi ta ketë gënjyer mbretëreshën Elisabetë mbi arsyen e pezullimit të parlamentit, ndonëse raporte të tilla mbushën mediat në Britani.

Ndërprerja prej pesë muajsh e punës së këtij institucioni u shpall e paligjshme nga një gjykatë skoceze, megjithatë fjalën e fundit tani do ta ketë Gjykata e Lartë.

Këtu i ka varur shpresat dhe Johnson-i që vazhdon të këmbëngulë se e kërkoi pezullimin e parlamentit me qëllimin që të ketë kohë të prezantojë programin e tij të përmirësuar mbi shëndetësinë, politikëbërjen dhe prioritete të tjera të popullit.

Por zëdhënësi i Partisë Laburiste në opozitë për Brexitin, Keir Starmer e fshikulloi ashpër duke thënë se “asnjë person me dy pare mend në kokë, nuk e beson që kjo është arsyeja e vërtetë e lëvizjes së Johnson-it”.

Kryeministri britanik po përballet me një presion të jashtëzakonshëm nga ligjvënësit dhe publiku për të lejuar punën e parlamentit. Pesë javët e kërkuara prej tij e bëjnë këtë shtyrjen më të gjatë të këtij lloji prej pothuajse një shekulli në Britaninë e Madhe.

Bindja e përgjithshme është se me pezullimin e parlamentit, qeveria kërkoi t’i kufizonte ligjvënësve mundësinë të aprovonin ligje që do të pengonin një Brexit pa marrëveshje.

Top Channel