Gjykata më e lartë e Skocisë e cilësoi të paligjshëm pezullimin e punës së parlamentit nga kryeministri britanik, Boris Johnson.

Një panel prej tre gjyqtarësh shqyrtoi rastin e paraqitur nga 75 deputetë britanikë që sfiduan vendimin e kreut të Ekzekutivit.

Për tre gjykatësit, kryeministri është përpjekur ti ndalojë parlamentit kërkesën e llogarisë ndaj Ekzekutivit lidhur me Brexitin.

Vendimi përmbys atë të mëparshmin që favorizonte Johnsonin, por nuk dihet sa do të ndikojë në rifillimin e punës së parlamentit të tashmë të pezulluar nga orët e para të së martës. Kjo pasi, Gjykata nuk ka dhënë ndonjë urdhër për anulim të pezullimit meqë javën e ardhshme do të zhvillohet një seancë e plotë në Gjykatën Supreme të Londrës.

Ligjvënësit britanikë nuk pritet të kthehen në parlament deri në 14 tetor, kur mbahet fjalimi i Mbretëreshës Elizabetë dhe bëhen publike planet legjislative të Johnsonit. Një zëdhënës i kryeministrit britanik ka thënë se është i “zhgënjyer” me vendimin dhe do ta apelojë në Gjykatën Supreme.

Ndërprerja e punës së parlamentit vjen në kohën kur Britania përballet me afatin e 31 tetorit, si data e caktuar për shkëputjen nga bashkimi europian. Ligjvënësit britanikë votuan një javë më parë një projektligj që nuk ia lejon Johnsonit largimin e vendit nga blloku europian pa marrëveshje.

Irida Vasia

Top Channel