Mos funksionimi i radarëve të ushtrisë ka dalë si problematikë në gjyqin ndaj Sajmir Tahirit i cili ka përmendur dhe një shkresë drejtuar ish ministres së mbrojtjes, Mimi Kodheli, ku me marrjen e detyrës e kishte lajmëruar për radarët jashtë pune.

Zoti Tahiri tha një ditë më parë “Prokuroria nuk ka prova që radarët janë fikur”.

“Prokuroria kishte dy vjet kohë të vërtetonte nëse, në kuadër të cilës do veprimtari kriminale, këto radarë mund të fiken, unë e di që jo dhe unë kam prova që jo dhe i thashë në seancë, Prokuroria le të vijë, jo nuk është kështu këta radarë janë fikur, unë e them jo dhe jo. Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhi teknikisht që të fiken radarët sepse siguria kombëtare në Republikën e Shqipërisë nuk ishte lënë në dorë me një çels një operatori, cilido qoftë ky në cilën do institucion, me çfarë do detyre lart apo poshtë”, shprehet Tahiri.

Ish Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli thotë për Top Channel se shkresa e Tahirit daton që në tetor të 2013, kur qeveria Rama sapo kishte marrë detyrën, ndërkohë që ishte çështje e ditur mos funksionimi i radarëve dhe është ndërhyrë menjëherë.

“Korrespondenca daton tetor 2013, pra është vetëm një muaj pasi ne kishim ardhur në qeverisje. Radarët i kemi gjetur zero dhe i kemi bërë të bëjnë 100% punë, radarët nuk mund të fiken se nuk janë çelësi i dritave në shtëpi, dhe ka një strukturë që quhet QNOD, një strukturë që drejtohet nga Këshilli Ministrave, nga kryeministri në mënyrë të veçantë”, shprehet Mimi Kodheli.

Kodheli riktheson se radarët janë rivënë në pune dhe se detyrë kryesore kanë patur mbrojtjen e kufijve shtetërore të Shqipërisë.

“Kanë dalë para në mënyrë emergjente të cilët kanë mundësuar rifillimin, rivënien në punë që nga dhjetori i atij viti, i sistemit të radarëve të cilët janë në funksion të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë nuk janë në funksion, kush gomone del nga ndonjë qoshe e bregdetit dhe kush gomone hyri, janë të tjerë njerëz ata që janë përgjegjës, policia ka radarët e vet nuk ka pse ngatërrohet me radarët e ushtrisë”, shton Kodheli.

Duke iu rikthyer dhe njëherë korrespodencës mes dy ish ministrave, zonja Kodheli thotë se detyrat kushtetuese i ka kryer shumë mirë.

“Juve flisni me ish Ministren e Mbrojtjes, nuk flisni me shefen e arkivave, nuk jam këtu nëse i kam kthyer përgjigje, jam këtu për të thënë që detyrat kushtetuese i kam kryer mirë, madje shumë mirë:, shprehet Kodheli.

Top Channel