Irlanda e Veriut u detyrua të dorëzojë kryesimin e grupit C në eliminatoret e Europianit 2020, pas humbjes 0-2 në shtëpi, ndaj Gjermanisë që intrigon edhe më shumë fatet e kualifikimit.

Në prani të 18 mijë tifozëve në Uindsor Park u zhvillua një betejë e bukur sportive, por në fund ishin miqtë ata që festuan suksesin dhe kryesimin për shkak golaverazhi. Goli i parë erdhi nga Halshtengberg me një goditje fluturimthi ndërsa pikërisht kur po mbyllej kështu, Gnabri në limitin e pozicionit jashtë loje dhe pranë vijës fatale, shënoi golin e dytë.

Në po të njëjtin grup Holanda shkatërroi 4-0 Estoninë në transfertë, dhe i afrohet kreut në vetëm 3 pikë larg. Tulipanët u imponuan me meritë në Talin falë dopietës së Rajan Babel, e më pas Depai dhe Vajnaldum, ky i fundit nga paaftësia e portierit Lepmets.

Kroacia mori vetëm 1 pikë në transfertën ndaj Azerbajxhanit, një ndalesë e papritur për skuadrën dalmate favorite në grupin E. Nënkampionët e botës u nisën fuqishëm dhe arritën të marrin avantazhin me penalltinë e konvertuar në gol nga Luka Modriç. Miqtë shpërdoruan të tjerë shanse me Rebiç, por azerët nuk u dorëzuan, duke sjellë festë në stadium në pjesën e dytë. Khalilzada firmosi barazimin ndërsa për padronët e shtëpisë u regjistruan dhe dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje.

Në përballjet e tjera, spikat fitorja 4-0 e Belgjikës në Skoci, një ndeshje që praktikisht shuan shpresat e ishullorëve për Europianin.

Top Channel