Diego Armando Maradona është kthyer në rolin e trajnerit teksa pranoi të marrë drejtimin e skuadrës Gimnasia La Plata. Në ‘El Bosque’ tifozët i rezervuan El Pibe De Oros një pritje madhështore duke i dedikuar flamuj, banderola kore madje nuk munguan as fishekzjarret.

Rreth 20 mijë tifozë ishin të pranishëm për të pritur trajnerin e ri të Gimnasias me Maradonën që nuk i fshehu emocionet, ndërkohë që më pas foli për median për objektivat e tij me Gimnasian sigurisht pa bërë asnjë premtim.

‘U ndjeva si në parajsë, sikur isha në qiell kur dëgjova të gjithë stadiumin të thërrisnin emrin tim-tha Diego Armando Maradona-nuk bëj asnjë premtim, nuk jam magjistar dhe kjo pritje që m’u rezervua sot do të ishte e mjaftueshme, por jo, unë dua më shumë’.

Diego Armando Maradona para pak kohësh dha dorëheqjen e tij nga drejtimi i Dorados për arsye shëndetësore dhe për t;iu nënshtruar operacioneve në shpatull e në gju. Duket se El Pibe De Oro i kaloi këto probleme dhe tani do të ulet në stolin e Gimnasias për ta ndihmuar që të lërë vendin e fundit të kampionatit argjentinas.

Top Channel