Një qytet i pastër, me infrastrukturë rrugore, arsimore dhe kulturore që të nxisë më tej zhvillimin e Durrësit turistik dhe t’i kthejë atij shkëlqimin që mbart nga lashtësia.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të ngritur në TCH nga komuniteti i Spitallës dhe stafi pedagogjik i shkollës “Demokracia” lidhur me kanalin e bllokuar nga plehrat, kryetarja e bashkisë Durrës Valbona Sako tregon dhe për prioritetet e saj. Në krye të bashkisë nr.2 në vend, që trefishon popullsinë gjatë sezonit veror, Sako thotë se problemet janë të mëdha. Pastrimi i mbetjeve dhe mungesa e parqeve në qytet janë shqetësimet e para që ka konstatuar e mbi të cilat po punon.

“Popullsia e qytetit trefishohet në periudhën e verës. Duke pasur një dendësi të tillë dhe problematikat janë shumë të mëdha. Realisht e kam filluar me pastrimin që është dhe një nga shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve. Është një menaxhim shumë i vështirë jo vetëm nga numri i madh i banorëve, po dhe nga keqmenaxhimi i qytetarëve në hedhjen e mbetjeve në vendgrumbulimet. Po identifikoj zonat që mund të gjelbërojmë. Po identifikoj dhe tokat shtet për të zbatuar projekte në lidhje me parqet e lodrave të fëmijëve ku ata mund të argëtohen pas shkolle apo gjatë pushimeve”- tha Valbona Sako.

Gjatë këtij procesi, Sako ka konstatuar dhe problemin me inventarin e tokave shtet që duket se ende nuk është i plotë në këtë bashki.
“Inventaret janë, po janë larg qendrave të banuara, po ne duam që projektet të zbatohen në zona të caktuara ku të aksesohen normalisht nga banorët. Një zonë e caktuar qytetarësh të ketë në përdorim një park për fëmijët”- u shpreh Sako.

Lidhur me shqetësimin e trajtuar dhe në këtë pragviti shkollor mbi kanalin e ujërave të larta që është kthyer në vatër infeksioni e pasigurie si dhe në problem për shkollën 9-vjeçare, pasi pas çdo rrebeshi shiu rruga e shkollës përmbytet dhe procesi mësimor për afro 900 nxënës të saj cënohet, Sako premton se ky problem do të marrë zgjidhje së shpejti, po qytetarët duhet të jenë më të përgjegjshëm pasi ata janë shkaktarë të problematikës së krijuar në zonë.

‘’Me të dëgjuar lajmin doja t’ju përgjigjesha. Ka mbaruar faza e parë e projektit që përfshin dhe këtë kanal kuqytetarë t hedhin në mënyrë të përsëritur mbeturinat personale. Problemi ka ardhur nga qytetarët. Jemi në fazën e dytë të supervizorit për të vazhduar këtë projekt. Para një muaji është pastruar nga ndërmarrja Rruga. Ata nisëm, po ka pasur një hezitim për këtë. Çdo ndërmarrje në varësi të bashkisë do të bëjë detyrën e vet. Ja u premtoj dhe jemi në proces për këtë’- vijoi Sako.

Hezitimi, bazuar në kulturën e dobët qytetare, për pastrimin e kanaleve të mbytura nga plehrat në lagjet periferike të Durrësit nuk duhet të pengojë ndërhyrjen në to. Pushteti vendor e ka fuqinë dhe autoritetin për të disiplinuar këtë situatë, ndërsa prindërit kërkojnë që pranë rrugës së shkollës të bëhet edhe rrethimi i pjesshëm i kanalit për të shmangur hedhjen e plehrave dhe incidentet me fëmijët që rrezikojnë të bien në të.

Ndërkohë vjeshta shënon dhe nisjen e diskutimeve për hartimin e buxhetit të vitit pasues dhe Sako është e bindur se buxheti 2020 do të reflektojë nevojat e qytetarëve, po vëmendje do të vazhdojë të marrë përmirësimi i infrastrukturës arsimore, pa lënë mënjanë atë kulturore.

‘’Do të vazhdoj praktikën e mirë që ka pasur bashkia e Durrësit për rikonstruksionin a ndërtimin nga e para të shkollave, kopshteve dhe çerdheve, sepse edukimi i një qyteti e shoqërie fillon pikërisht në to. Projekt i madh në vazhdim është ai “Taulantia”, ndërsa projekte të mëdha të reja janë rikonstruksioni i Qendrës Kulturore dhe në diskutim me arkitektët e bashkisë po mendojmë për zhvendosjen e bibliotekës në këtë qendër pasi fëmijët që në moshë të vogël duhet të edukohen me leximin. Një shoqëri e kulturuar na ndihmon t’i perceptojmë dhe t’i zgjidhim më mirë e më shpejt problemet’- përfundoi Kryetarja e Bashkisë Duurës.
Nga Vali Qyrfyçi

Top Channel