Anëtari i këshillit bashkiak të Nju Jorkut Mark Gjonaj, kërkoi nga komuniteti shqiptar që të marrë pjesë në këtë proces, duke votuar përmes postës.

Një gjest të tillë, Gjonaj , nga sa pohoi në një intervistë për VOA-n, e sheh si kontribut drejt të ardhmes së vendit.

“Shpresoj që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e madhe. Është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Diaspora ka rastin të marrë pjesë në zgjedhje, me një afat regjistrimi deri më 10 shtator. Inkurajoj të gjithë ata që kanë të drejtë vote, të regjistrohen brenda afatit për të marrë pjesë në një process të besueshëm e demokratik, që do t’i japë formë të ardhmes së Kosovës. Është përgjegjësi e njerëzve tanë ndaj vendlindjes“, u shpreh Mark Gjonaj.

Gjonaj foli edhe për tarifën prej 100 për qind që Kosova ka vendosur ndaj mallrave serbe, duke theksuar se beogradi e përdori këtë si justifikim për t’u larguar nga tryeza e bisedimeve.

“Nuk ishte Kosova ajo që i ndali bisedimet. Kosova gjithmonë ka qenë në tryezë, Serbia është larguar nga ajo në mes të procesit. Tarifa është e parëndësishme dhe ka shumë pak ndikim në mirëqenien ekonomike në Serbi. U shfrytëzua si justifikim për t’u larguar. Serbia duhet të qëndrojë në atë tryezë në mënyrë që të adresohen çështjet e vërteta. Pavarësia e Kosovës nuk është fituar. Është paguar për të. Është paguar me gjak dhe dekada të tëra diskriminimi”, tha Gjonaj.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut tha se lojëra si këto nga ana e Serbisë, po zbehin arritjet e Kosovës.

Top Channel