Në tre vjetorin e shenjtërimit të Shën Terezës- Gonxhe Bojaxhiut, në Muzeun Historik Kombëtar është çelur një ekspozitë me foto në të cilat përshkruhet rrugëtimi i jetës së saj. Që nga fëmijëria, momenti kur u largua nga shtëpia për t’ju përkushtuar të qënit murgeshë e deri misioni i saj thelbësor, përkushtimi ndaj të varfërve.

“Qëkur isha tetëmbëshjetë vjeçe, vendosa të largohesha nga shtëpia për t’u bërë murgeshë. Me kohën e kuptova që profesioni im ishte puna me të varfrit. Që atëherë e deri më sot nuk kam pasur as edhe më te voglin dyshim për vendimin që mora” është shprehur humanistja Nënë Terezë.

Rrëfimet në foto fillojnë që nga familja e saj, letrat që i shkruante atyre; Nënë Lokes apo motrës Age, gjatë jetës së saj të re, kur u bë drejtoreshë e një shkolle në Kalkutë, më 1946.

Në këto foto po ashtu tregohet përulësia e saj. Ajo që e shoqëroi gjithë jetën, sëbashku me optimizimin e dashurinë.

Nënë Terëza e ka bërë të njohur emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbarë botën, është shprehur Papa Gjon Pali II. Ismail Kadare tha se me humbjen e saj, bota dhe populli ynë mbetën jetimë, ndërsa ajo gjithmonë e ka thënë që prej origjine dhe gjaku ishte shqiptare.

Pas vdekjes së saj ka më pak dashuri në botë u shpreh Zhak Shirak, ndërsa Bill Klinton e cilësoi të parën që e bëri ta dojë kombin shqiptar.

E para shqiptare e shenjtëruar dhe mbajtëse e çmimit Nobel, humanistja u udhëhoq gjithë jetën përveç fesë nga dashuria.

Ky ishte himi i saj për jetën. Ashtu sikurse thoshte që:

Jeta është aventura, ndaje.
Jeta është fshehtësa, zbuloje.
Jeta është dashuria, dashuroje.
Jeta është jeta, jetoje.

“Gjëja më e rëndësishme në jetë është dashuria. Këtu është fillimi i veprimtarisë për të drejtat njerëzore” ka thënë Nënë Tereza. Ndërkohë thëniet e saj janë të famshme në gjithë botën.

Top Channel