Filmi i gjatë artistik “Zana”, prodhim i Kosovës dhe Shqipërisë, nga Antoneta Kastrati, do ta ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF), që nisi mbrëmë sipas orës lokale dhe do të mbahet deri 15 shtator.

“Të jesh nga një vend i vogël,” thekson regjisorja Antoneta Kastrati, “dhe t’i përkasësh brezit të parë të kineasteve femra nga Kosova, është nder për mua që ta shfaq filmin tim të parë në një festival kaq të respektuar dhe në mesin kineastëve të mrekullueshëm. Këtë vit shënohet edhe 20 vjetori i Luftës së Kosovës, dhe filmi ‘Zana’ është përpjekja ime e gjatë për të reflektuar në të kaluarën time personale të kohës së luftës. Për mua është shumë e veçantë që për herë të parë arrij ta ndaj këtë histori me një audiencë më të gjerë. TIFF e ka bërë të mundur këtë”.

Filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare, që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Projekti Filmik “Zana” është po ashtu filmi i gjatë në të cilin motra e Antonetës, kinematografja e suksesshme Sevdije Kastrati e ka xhiruar filmin me kamerat dhe lentet e Panavision-it pasi që kanë fituar çmimin the New Filmmaker Grant.

Mbështetësit kryesorë financiarë të filmit janë Qendra Kinematografike të Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë (Shqipëri), Panavision New Fimmaker Grant, SFFILM Rainin Grant, Light Iron dhe komuna e Pejës.

Projekti filmik ishte po ashtu pjesëmarrës i Midpoint Feature Launch 2017, fitues i Midpoint Development Award dhe pjesëmarrës i Midpoint Editing Room.

Producent i filmit “Zana” është Casey Cooper Johnson dhe bashkëproducentë Sevdije Kastrati me Crossing Bridges Films (Kosovë), Dritan Huqi me On Film Production (Shqipëri), dhe Miguel Govea dhe Brett Walker nga Alief.

Në rrolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Vedat Bajrami, Çun Lajçi, dhe Ilire Vinca.

Ndryshe, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto u hap me filmin dokumentar “Once Were Brothers”./KosovaPress.

Top Channel