“Vendime të vështira për paktin final”/ Dy senatorët amerikanë paralajmërojnë Kosovën dhe Serbinë

04/09/2019 13:47

Vendime të vështira për Kosovën dhe Serbinë në marrëveshjen finale ka paralajmëruar senatori amerikan Chris Murphy.

Murphy ka thënë se të dyja palët duhet ta kuptojnë se sakrifica ndonjëherë është e nevojshme për t’i normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve.

Këto mesazhe ai së bashku me senatorin tjetër, Ron Johnson ua kanë përcjell presidentit, Hashim Thaçi, përfaqësueseve të subjekteve politike dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe të njëjtat ka thënë se do t’ia përcjellin edhe Beogradit.

“Ne presim që ky dialog të jetë i qartë dhe produktiv dhe shpresojmë që të dyja palët të kuptojnë që ndonjëherë sakrifica është e kërkuar për t’i normalizuar marrëdhëniet mes dy shteteve, në mënyrë që të dy shtetet ta rrisin ekonominë. Arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë impakt pozitiv në ekonomi dhe benefite politike për të dyja shtetet. Do ta bëjmë këtë mesazh të qartë në Beograd ashtu siç e kemi bërë këtu sot”, tha Murphy.

Ndërsa senatori Johnson është shprehur se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çelësi i së ardhmes, andaj janë bërë pjesë e tij për t’i mbështetur njerëzit e rajonit, Kosovës e Serbisë.

” Unë dhe senator Murphy jemi këtu për të treguar mbështetjen tonë të fortë për njerëzit e Kosovës dhe rajonit. Ne me të vërtetë duam ta shohim këtë rajon si sukses të botës. Secila qenie njerëzore dëshiron të ketë paqe, siguri që ta rrisin familjen dhe të ketë perspektiv, dhe besoj se rruga e vetme për t’i arritur këto është përmes besimit të Qeverisë në ligje dhe mbrojtje të pakicave”, tha Johnson.

Pak ditë para vizitës së senatorëve amerikan, SHBA-të emëruan zëvendës- ndihmës sekretarin amerikan, Matthew Palmer, Përfaqësues të Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

Palmer do të ketë rol kyç në fuqizimin dhe angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, i cili po ashtu tha se
synimi i tij është t’i kthejë sa më shpejtë Prishtinën dhe Beogradin në tryezën e bisedimeve.

Kosova pritet të hyjë në zgjedhje me 6 tetor, e qeveria e ardhshme çështjen e parë për diskutim do ta ketë rifillimin e dialogut, dhe presionin për mbajtjen apo heqjen e masës mbrojtëse.

Derisa pala serbe qartë ka deklaruar se nuk do vazhdimin e dialogut pa heqjen e masës.

Alberta Hashani

Top Channel