Situata e tensionuar në mesditën e së mërkurës në kampin e refugjatëve në Moria të ishullit grek të Lesbos nuk ishte një rrufe në qiell të pastër.

Konfrontime të ashpra midis vetë refugjatëve kanë filluar nga tenda ku ndodheshin rreth 300 prej tyre, kryesisht adoleshentë që kërkonin largimin e tyre të menjëhershëm dhe kanë përfunduar pas mbërritjes së forcave policore.

Ka javë që gjendja në këtë kamp të ashtëquajtur Ferri i Tokës është tragjike. Megjithëse orët e fundit u larguan 1450 refugjatë drejt Greqisë së Veriut, në dy muajt e fundit mbërritën 12000 azilkërkues.

Në pesë ishujt e Egjeut ku ndodhen qendrat e pritjes për 6300 persona , numri i refugjatëve që mbahen atje shkon në 25000. Qeveria greke nuk përjashton transferime të tjera kryesisht të miturit dhe gratë për të lehtësuar gjendjen e rënduar, drejt Greqisë kontinentale, në kampet e Kilkizit, Janinës dhe Serresit.

“Nga prilli e këtej ka një rritje të fluksit të refugjateve. Marrim të gjitha masat e duhura. Përsa u përket personave që do transferohen varet nga kapaciteti i kampeve në fjale që do të përcaktoje numri e atyre që do transferohen’, tha zëdhënësi i qeverisë Spiros Petsas.

Ndërsa fluksi ngjason me atë të krizës migratore të 2015, situata nuk është e njëjtë ,pasi atëherë kufijtë ishin të hapur, ndërsa tashmë refugjatët mbeten në Greqi dhe ashtu siç komentojnë edhe mediat vendase dhe ato të huaja dimri do të jetë vërtet dramatik .

Athina zyrtare këmbëngul se do të rifillojë përsëri bisedimet me Turqinë për rimëkëmbjen e marrëveshjes që ajo ka me BE për kthimin e refugjatëve, por prej vitit 2016 vetëm rreth 2000 prej tyre janë rikthyer në Turqi.

Vlerësohet se rritja e fluksit përveç faktorëve të tjerë që e shkaktojnë, kryesisht zhvillimet në Siri, është një mjet presioni që bëhet nga fqinji i Greqisë për shkak të pozicionimeve të kundërta në lidhje me ZEE të Greqisë dhe Qipros për të cilat Ankaraja ka pretendimet e saj.

Aleksandër Marku

Top Channel