Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim.
Këtu ku kam arritur më ftohtë është, më vetmi.
E dija këtë gjë, por padurimi i vdekur
Më shtynte të ky cak të mbërrij, te kjo kotni.

Krahë grash të thyera mbi supe, si të prera nga një morg
Më japin një gëzim po aq të vdekur.
Më duket ende dimër, ndonëse është prill.
Kam ftohtë.
Kam ftohtë.

I.Kadare (Prill 1989)

Dy buzë

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…
Dy buzë si tëpërgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjsë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

MIGJENI

 

DIKU NË BOTË

Po qe se nuk të shkruaj

Miku imi dashur dhe

Po qe se nuk ma dëgjon zërin

Merr një karafil

Varrin ma kërko

Diku në botë

 

ALI PODRIMJA

 

 

ATDHEU

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

 

FATOS ARAPI

Top Channel