Vitrina e Librit/ Ak. Ali Aliu: Fare pak dashuri në letërsinë shqipe/ Lirika dhe tradita letrare

02/09/2019 12:37

ALI ALIU
Ndjenja e dashurisë në tërësinë e poezisë sonë, pos mungesës së guximit del prani konstante dhe e përhershme në vijën e zhvillimit të vet.

Mund të hasen periudha të tëra pa lirikën patriotike, pa lirikën politike, pa atë apologjetike, sociale dhe religjioze, etj., por jo pa atë të ndjenjës së dashurisë. Ky ka qenë dhe qëllimi i hartimit të një libri me përmbledhjen e lirikave më të bukura të letërsisë shqiptare me autor Ak. Ali Aliu.

Në një intervistë për Vitrina e Librit në Top Channel, Ak. Ali Aliu thotë se, poezia e periudhës sonë të Rilindjes, me pjesën e vet më të madhe dhe më cilësore, u ngjiz dhe u zhvillua në frymën patriotike meqë kjo frymë ishte ngarkesë dhe frymëmarrje kryesore e shpirtit dhe e mendjes kolektive. Sipas tij, poezia dhe letërsia përgjithësisht, për një cast do të njehsoheshin me këtë refleks të botës kolektive kombëtare. Gjatë epokave të tjera të historisë kombëtare, po me këtë intensitet, do të vihen në lëvizje të tjera emocione të botës individuale dhe kolektive. Refleksi i dashurisë, ndërkaq, nuk do të mungojë asnjëherë. Do të jetë njësoj i pranishëm si te poetët e letërsisë arbëreshe në Itali, me Seremben dhe De Radën në krye, si në poezinë e epokës së Naim Frashërit, ashtu dhe në atë të fillim shekullit të XX-të dhe në poezinë tonë ndërmjet dy luftrave e deri në ditët tona.

Ndaj kjo është arsyeja sipas tij, pse ndjenja e dashurisë në poezinë tonë të shkruar, krahasuar me shumë të tjera, për karakteristikë dalluese, sic përmendëm më sipër, ka një frenim të brendshëm. Ajo është shtrirë në atë hov dhe ka përmbushur aq hapësirë të jetës së përditshme, sa kanë mundur t’i lejojnë problemet dhe brengat e kohës. Madje, edhe në ato raste dhe caste, kur është dukur se nëpërmjet përjetimit poetik ka shpërthyer maksimalisht, kur është dukur se nuk është e brengosur për asgjë dhe kur është dukur e gatshme të shpërthejë, në fakt as atëherë nuk ka mundur të shkëputet plotësisht nga aktualiteti historik dhe ekzistenca kolektive. Mbase poezia jonë popullore gojore e këtij zhanri, në disa momente, duket më e avancuar nga ky aspekt. Ndoshta sepse ndjenja e dashurisë mes mashkullit dhe femrës, burrit dhe gruas, është manifestuar si refleks kolektiv vital e në caste vendimtare gjatë përpjekjeve për të rezistuar dhe qëndruar. Duke i besuar dhe duke iu lëshuar këtij zëri të brendshëm, poeti kolektiv, insiktivisht ka zgjedhur formën më vitale dhe më efikase në luftë për ruajtjen e qenies. Por le ti kthehemi poezisë sonë të shkruar. Edhe ata poetë që në letërsinë tonë gëzojnë opinionin si autorë me natyrë të theksuar erotike, si poetë në radhë të parë të këtij zhanri të lirikës, krahasuar me poetë të ngjashëm nga letërsitë e tjera, dalin plot ndalesa, trauma dhe abstenime limituese. Në këtë libër janë përmbledhur lirikat më të bukura të Z. Serembes, N. Frashërit, Cajupit, Migjenit, Lasgushit, Mjedës, Kadaresë, etj.

Skeda e Librit:

Autor: Ali Aliu

Titulli: Lirika dhe tradita letrare

Shtëpia Botuese: Agora (2019)

Nr. faqe: 280

Gjuha e publikimit: Shqip

 

 

Top Channel