Një ekip nxënësish të ekselencës nga 4 gjimnaze publike të Tiranës do të përfaqësojnë flamurin shqiptar në Olimpiadën e IV të Metropoleve, që mbahet javën tjetër në Moskë.

Ata do të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre nga kryeqytetet e një sërë vendesh europiane. Para nisjes për në Moskë ata u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili iu uroi suksese dhe tha se ata janë krenaria e Tiranës.

“Me medalje ose jo, koha do ta tregojë, por rëndësi ka që do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer, për të treguar se çunat dhe gocat e Tiranës mund të na përfaqësojnë denjësisht mes dhjetëra skuadrave të kryeqyteteve të tjera, në këtë olimpiadë të kampionëve të metropoleve”- tha Erion Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës mbështet përfaqësimin që këta të rinj do t’i bëjnë qytetit tonë, si përkrahësja dhe nxitësja më e madhe e çdo nxënësi që ka talent.

“Bashkia e Tiranës do të ketë gjithmonë një mundësi për të financuar, siç po bëjmë në këtë rast me udhëtimin, e më pas me një bursë, siç kemi bërë me shkollat 9-vjeçare. Për ata që sjellin çmime e fitojnë në olimpiada, gjithmonë do gjendet një mënyrë që Bashkia e Tiranës të jetë një mbështetje”- vazhdoi më tej Veliaj.

Olimpiada zhvillohet në dy ditë, në 3 dhe 4 shtator, dhe konkurrimi do jetë i ndarë në fusha të ndryshme. Ekipi që do përfaqësojë gjimnazet e Tiranës do të konkurrojë në fusha si informatika, matematika, fizika dhe kimia.

Top Channel