Facebook ka shpërndarë mes punonjësve të tij një test të brendshëm të një aplikacioni të ri mesazhesh, të quajtur Threads.

Ai do të jetë i lidhur me Instagram-in dhe do të mundësojë ndarjen e teksteve, përmbajtjeve multimediale dhe disa të dhënave si pozicioni dhe autonomia e baterisë, me një listë miqsh të seleksionuar. Funksioni i aplikacionit kujton shumë atë të Snapchat-it, konkurrent i Facebook, nga i cili shoqëria është frymëzuar gjatë viteve për të azhornuar Instagram-in.

Facebook ende nuk ka dhënë informacione zyrtare mbi aplikacionin por disa sajte amerikane kanë siguruar disa skema dhe informacione mbi funksionimin e sistemit. Pasi të jetë instaluar dhe lidhur me llogarinë në Instagram, Threads do të mundësojë nisjen automatike të disa informacioneve për miqtë më të ngushtë të zgjedhur mes kontakteve.

Përveç azhornimeve të gjendjes, fotografive dhe videove, të modifikueshme me filtrat e Instagramit, mund të ndahet në kohë reale edhe pozicioni gjeografik. Kjo sidoqoftë nuk do të jetë konstante; kontaktet nuk do të dijnë ekzaktësisht se ku ndodhen të tjerët, por në një farë mënyrë do të mësojnë nëse po lëvizin. Ideja kujton shumë atë të Snapmap të Snapchat-it.

Threads do të ketë edhe një funksion direkt mesazhesh, të ngjashëm me atë të Instagram-it, që për një periudhë ishte e mundur të përdorej përmes aplikacionit të ndarë Direct, por më pas u mbyll. Ashtu siç ndodh në Messenger, edhe këtu, një topth i gjelbër do të tregojë se cilët kontakte janë online.

Për të aktivizuar funksionet automatike të Threads, sidoqoftë, do të jetë e nevojshme të japësh pëlqimin. Ndryshe nga ç’ndodhte në të shkuarën në Facebook, ku shpesh risitë u ofroheshin përdoruesve që vetëm në një moment të dytë mund t’i ç’aktivizonin. Pas skandaleve të menaxhimit të të dhënave personale në të cilat është përfshirë Facebook, duket se Zuckerberg do të sigurohet që kush përdor platformën të ndajë përmbajtje në mënyrë më të ndërgjegjshme.

Top Channel