Brexit pa marrëveshje/ Johnson do i kërkojë Mbretëreshës të pezullojë Parlamentin

28/08/2019 11:12

Qeveria e Boris Johnson planifikon që të kërkojë nga Mbretëresha pezullimin e Parlamentit. Kjo lëvizje vjen si kundërpërgjigje ndaj planit të disa deputetëve për të bllokuar largimin pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Data përfundimtare për largimin nga BE është 31 tetori.

Pezullimi do të thotë se deputetët nuk kanë të drejtë të kalojnë ligje dhe as të mbajnë fjalime.

Ky vendim që pritet të zyrtarizohet po përballet menjëherë me kritika. Shumë janë të mendimit se pezullimi do i ndalojë deputetëve të luajnë rolin e tyre demokratik në procesin e Brexit. Ndërkohë që nuk përjashtohet as mundësia e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Johnson.

Kryeministri Johnson ka deklaruar se kërkon largimin nga BE me një marrëveshje, por nëse ajo nuk arrihet, largimi duhet të ndodhë gjithsesi.

Top Channel