Nga Monika Stafa

ULTIMA CARMINA
Dëbora flokët m’i ka zbardhur,
Në faqe rrudha kam tani,
Me shkop në dorë si plak i mardhur,
Bares liqerit në vetmi.

Kujtoj rininë plot stolira,
Kujtoj të ëmblat lesh-flori,
Ah! fantazira, fantazira,
Në shpirt ç’më dergjeni tashi!
Lasgush Poradeci, 1982

Për liqenin, për pushimet verore, për koranin, për Lasgushin.

Këto shpjegime degjohen nga kryeqytetasit për pyetjen “Pse shkohet në Pogradec?” Të vijnë të gjitha këto ndërmend pasi ke mbërritur në qytetin buzë liqenit të Ohrit, që dikur në tekstet shkollore mbante emrin e tij. Pastaj? Pastaj, duket se qeverisësit u trembën, kujtuan se duke e quajtur “Liqeni i Pogradecit” mund të provokonin fqinjin e sertë përtej!

Kujtohemi për Pogradecin kur afrohet behari. Por në Pogradec, para se të shkohet për një komoditet stine apo fundjave, ka gjëra më të rëndësishme për të shkuar. Festat, për shembull. Në Pogradec shkohet për të festuar. Dhe festa ka në verë e në dimër. Pak ditë më parë ishte festa e Teto Ollgës. Një festë e re kjo. Por ka dhe festë liqeni. Eshtë i vetmi qytet në Shqipëri, në të dyja Shqipëritë, shtetërore e jashtështetërore, që ka një festë të tillë. Por në Pogradec mund të rastisësh edhe në vjeshtë dhe të gëzohesh bashkë me vendasit për festën e derrit, një rit tradicional i pogradecarëve, të cilët i dalin para dimrit, në një mënyrë tjetër nga ajo që preferonte Lasgushi.

Jo duke e lënë qytetin me borën e parë për të ardhur në Tiranë, bashkë me qenin besnik, me emrin e çuditshëm “Cuc”. Por duke përgatitur pastërmanë dhe zahiretë e domosdoshme për motin e ftohtë. Ca më mirë po të qëllosh nga mesi i dhjetorit, në festën e verës, të verës që pihet, një festë që u ngjan konkurseve të degustimit në vendet e Perëndimit. Eshtë festa hapjes së buteve dhe pogradecarët në prag të Krishtlindjes, i mburren njëri-tjetrit me verën e verdhë si flori por dhe i japin kënaqësi e shije njëri-tjetrit me larminë e verërave që janë mjeshtëri e të parëve.

Liqeni në Pogradec është një kult. Vit për vit vendasit i bëjnë nderime liqenit, njësoj siç festojnë ditëlindjet e fëmijëve, përvjetorët e dasmave apo ditët e shenjtorëve. Nuk ka asnjë lidhje me promocionin komercial të kohëve moderne. Është thjesht një ftesë për të rrojtur me kënaqësinë e aleatit më të rëndësishëm të njeriut – natyrën.

Dita e liqenit, na thotë një peshkatar që e takojmë rastësisht aty në breg, ka lidhje me belushkën, koranin dhe pagëzimin. Sipas tij, peshku më i mirë në liqenin e Pogradecit është korani. I dyti vjen krapi, pastaj ngjala, dhe në fund belushka që vjen e katërta. Unë kam kapur koran që shkonte deri në 13- 14 kg, ndërsa krapi më ka shkuar njëherë, shton me ëndje ai, deri 35 kg. Po pse kaq shumë festa në Pogradec, i them peshkatarit për ta ngacmuar. Si thoni ju, vërtet ka kaq shumë për t’u kënaqur mes jush? Po, ka pasur që herët këtu de, pse të duket cudi? Që në fillim, që nga kohërat e pleqve tanë, shton burri i mocëm si për të më bindur se kjo është një histori tradite, ndaj unë nuk kam të drejtë të vazhdoj të pyes më, për atë që me sa duket këta mburren me ciltërsi.

Për banorët liqeni mbetet një dashuri e madhe. Prej tij vjen një frymëzim dhe poetikë lirike e romantike por mbi të gjitha sepse ky liqen, po të shpreheshim me gjuhën e tyre ka dhe koranin shumë të shijshëm, me të cilin ata nderojnë jo cdo “mik” që u vjen në qytet. Duken të kënaqur kur flasin për vendin e tyre, por sidomos sytë u mbushen gjithë dritë gëzimi kur flasin për dy emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe; Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Lasgushi, tregojnë banorët përgjërohesh për liqenin. Ai thoshte se kur fuste dorën në liqen, i dukesh sikur stërkalat e tij nxirrnin xixa ari. Por kënaqësi e tij, thuhet se ish kur një mik i tij, Piro Miska, i bënte tavën e koranit.

Liqeni ka qenë një burim jetësor për qytetin e Pogradecit, sepse përvec prodhimeve që mund të jepte kodra, mali kish dhe prodhime të tjera; si peshku apo ujët që përdorej për ujitje dhe lundrim. Liqeni është diçka frymëzuese, dicka që i gëzon banorët. Sepse ai ka ndikuar dhe në lindjen e artistëve, poetëve, muzikantëve dhe piktorëve. Liqeni i Pogradecit është ndër liqenet më të thella në botë. Korani që rritet këtu nuk është si ai i liqenit të Bajkalit. Është në familjen e koranit por nuk është ai. Korani ka qenë kaq i preferuar sa në kohën e bizantit peshku merrej në Ohër dhe çohej deri në Kostandinopojë me kuaj që ta hanin perandorët. Dhe kuajt ndërroheshin në stacione të ndryshme. Peshqit e detit mund të jenë më të shijshëm por përjashtim prej tyre bën korani. Dhe ky është një peshk që nuk gjendet në vende të tjera. Këtu gjithçka është e rrallë dhe e papërsëritshme.

Flora dhe fauna e liqenit kanë një rrallësi deri tek unikaliteti. Korani, i vetmi i afërm i familjes salmonite, kryeshijes së përsosjes aristokratike të njerëzimit, gjendet këtu dhe në Kaspik dhe askund tjetër. Uji i liqenit mund të të shndërrojë në mjelmë, thonë peshkatarët. Karrocat perandorake me bute uji shkonin e vinin për mbretin e kulinarisë nga Kostantinopoja e Viena, disa thonë dhe nga oborre të tjerë.

Ky është qyteti i liqerit, i verës, i koranit, i peshkatarëve, dhe i serenatave. Qyteti ku bashkohet polifonia me homofoninë; qyteti ku ndërthuret toskërishtja me gegërishten; qyteti i poetit të dhimbjes vetjake, Lasgush Poradecit, Llazar Gushos; një prej njerëzve më trillanë të historisë së letrave në Shqipëri. Habitesh kur hap shtypin letrar dhe sheh se Lasgushi, poeti që heshti përgjithnjë pas përfundimit të luftës, tri herë e ka festuar 80-vjetorin e tij! Heshti Lasgushi në poezi, por Pogradeci mbeti përjetësisht në poezinë e tij. L. Poradeci jetonte në Tiranë një pjesë të kohës por kur shkonte në Pogradec, kthehej me shumë qejf dhe gati i përlotur. Ai shkonte në qytetin e tij, kur fillonte të celte mani dhe ikte me dëborën e dytë, se e para, thoshte Llazari, është e qenit. E dyta, është e imja. Shkelte dëborën dhe pastaj ikte. Ikte vazhdimisht i pezmatuar.

Lasgushi dhe Pogradeci nuk mund të ndahen. Lasgushi ia mori vendlindjes liqenin dhe ia ktheu në poezi. Trashëgimia gojore e shqiptarëve ka shumë pak det, shumë pak liqen, shumë pak lumenj. Edhe në ato raste që ka kulturë detare, kulturë ujore, nga deti dhe uji në vetëdijen shqiptare tradicionale vjen e keqja, vjen përbindëshi, vjen demoni i zi, me emrin bajloz e lugat. Jo vetëm kultura gojore, por edhe ajo e shkruar, tek shqiptarët ka një kujtesë shumë të kufizuar, a thua se ata kanë rrojtur në thellësira të hinterlandit. Kjo është aq e theksuar, sa vetëm mungesa në poezi do të mjaftonte për të shtruar pyetjen: A kanë shqiptarët ndonjë lidhje shpirtërore me detin dhe ujin, me liqenin dhe lumin? Lasgushi i bëri një nder të madh letërsisë shqipe me liqerin dhe nositin, aq të ngjashëm me albatrosin e Bodëlerit; me valët dhe pëshpërimën e ujit, me finesën e vargut pa heronj dhe heroizëm, vetëm me bukuri natyrore dhe dashuri, me pikëpyetje për jetën dhe filozofi. Ky është liqeni që ka festën e vet të përvitshme, poetin e vet të përjetshëm, historitë e veta të patreguara. Pranë bregut të liqenit, mbrëmjeve kur peshkatarët dalin për gjueti, këto histori rikthehen në formën e dhimbjes dhe të nostalgjisë, në formën e dashurisë së paarrirë, por, megjithëse liqeni ka marrë me vete shumë dhimbje njerëzore, askush nuk e qorton atë.

 

Ky është Pogradeci, të cilin mendojmë se e njohim; Pogradeci që e identifikojmë menjëherë në mendjen tonë me Lasgushin dhe liqerin e tij. Por ky është njëherësh qyteti i njërit prej personaliteteve të mirënjohur të pavarësisë shqiptare; Gjergj Pekmezit, autor i një gramatike të shqipes dhe diplomat; njeriu që u caktua të përkthente delegacionin shqiptar që do të merrte në dorëzim, princin e huaj Vilhelm fon Vid në Vienë. Pekmezi dhe Ippen kishin vendet e tyre përkrah dy delegacioneve, në çastin historik që Shqipëria do të bëhej me princ trashëgimtar. Pekmezin pogradecarët e kujtojnë, se e kanë të vetin, por botimet enciklopedike shqiptare e kanë harruar. Pogradeci, Lasgushi dhe Kuteli bëjnë një trini, për të cilën vendësit janë gati të betohen; ashtu siç mund të betohen për shumë trini të tjera: liqenin, koranin dhe verën; Shën Naumin (që këtu i thonë Shëndaum), Drilonin dhe Drinin plak e të përrallshëm; Linin, Tushemishtin dhe Malin e Thatë, Gradishtën, Selcën dhe Mokrën; festën e dimrit, të venës dhe të liqenit!

Në vitet 1930 kjo qytezë e vogël ndriste vetëtimthi më shumë se kryeqyteti vetë, me pazaret orientale dhe atentatet si ne nje metropol te vertete. Verës, vinin njerëzit e Gracit te Austrise, mjekë si Jani Basho; poetë si Lasgushi; të tjerë si Dhimitër Pasko, secili parësor në selinë e vet. Lasgushi, Mitrushi dhe doktor Basho formonin një tjetër trini. Por jo një trini të mbyllur. Mundimi ynë për të gjetur një model tjetër solidariteti të intelektualëve shqiptarë; një model më shembullor se ai i intelektualëve pogradecarë, shkon dëm.

Të gjithë të talentuar, të gjithë problematikë!

Po, ky është qyteti ku njeriu mund të jetojë me shije aristokratike. Të dëgjojë historitë e pabesueshme të dashurive të Lasgushit, që e ndoqi pas të dashurën e vet të huaj me avion e tren, gjersa humbi çdo shpresë se mund ta ringjente; të mësojë për fatin e trishtuar të Kutelit, një prej njerëzve më të kulturuar të Shqipërisë në shekullin e 20-të; të dëgjojë një rrëfim të thjeshtë peshkatari për mbrëmjet në gjirin e liqenit, ku nuk ka më poezi, por rrezik, frikë, errësirë dhe befasi. Krastja, Mile, Naumce, Rustem Gajdanasi janë disa prej emrave të peshkatarëve që qyteti i nderon si më të zotët e liqenit. Kam 35 vjet që punoj si peshkatar, na thotë njëri syresh. Babai dhe vëllai kanë qenë po ashtu peshkatarë tërë jetën. Ka pasur raste zinim rreth 10– 15 kw, vazhdon ai, por kish raste që dilnim edhe bosh. Xha Ademi a është i lumtur një peshkatar, e pyes unë gjithë kuriozitet, plakun e butë. Po si nuk është i lumtur, me ktheu ai menjëherë. Liqeni të jep shëndet, ajër të pastër, pastaj nëse nuk e don, është e kotë nuk ta kthen ai fërshëllimën mbrapsht. Kush, e pyes unë pasi vëmendja më ish ngacmuar nga një gurickë që kish hyrë në sandale. Po liqeni de, u vrenjt peshkatari. Aha, i kthehem unë. Pa ta provoj njëherë…dhe nis të fërshëllej. Xha Ademi, e ke lexuar “Plaku dhe deti” ? Për ta lexuar jo, por  film e kam parë. Cfarë përshtypje të ka bërë? Ai ishte peshkatar i vendosur, si ne. Se dhe ne kur dilnim po mos të zinim një kuintalë, dy kuintalë nuk dilnim. Ne rrinim natë e ditë në liqen. Pa prodhim nuk vinim. Po të isha në moshën e tij, ashtu do vazhdoja të punoja. Por  ne s’kemi si ai peshku, që kish atje. Se ai ishte i madh shumë. Ku e di unë, cfarë peshku ishte ai?!

Këtu, midis pogradecarëve, njeriu mund të ndihet, princ, mbret, i përkëdheluri i fatit, zot i ditës. Luksi që ofron njerëzia e vendësve dhe pasuria e natyrës është i jashtëzakonshëm. Në botën e sotme kanë lindur tregues të rinj për mirëqenien. Sa ke udhëtuar gjatë vitit, kjo ka rëndësi më shumë se sa të ardhura ke fituar. Cila është larmia apo rrallësia e shijes që ke provuar – kjo ka më shumë rëndësi se sa e ke paguar një drekë apo një darkë. Pogradeci t’i ofron bujarisht të gjitha. Por kujdes ! Ti mund të kesh dhe pak dyshim. Sepse sot është epokë e tregut. Dhe nuk je krejt i sigurt se kur porosit koranin të të vijë për koran një trofte apo belushkë e kështu vetja mashtrohet me qejf nëse s’je po aq i rafinuar në përzgjedhje shijesh, sa korani të të meritonte. Por çudia më e madhe e Pogradecit në larminë e festave të pangjashme me vise të tjera të Shqipërisë është diçka tjetër. Në dekadën e tretë të shekullit të kaluar Pogradeci e humbi Shën Naumin. Dhimbja e kësaj humbje qytetit nuk iu nda kurrë. Eshtë i njohur fakti i protestës së një prifti të rendit minor kundër vendimit të asamblesë shqiptare për shmangien e kufirit më në jug të vendit, duke e lënë Shën Naumin në ish-Jugosllavi. Shumë njerëz e harrojnë se bashkë me Shën Naumin vendi humbi dhe disa qindra hektarë sipërfaqe ujore, nga ky liqen i bekuar; ku festa e përvitshme ngjan më shumë me një rit të qëmoçëm sakral se me hapjen e një sezoni pushimesh.

Ky është Pogradeci, i njohur dhe po aq i panjohur; qyteti i shenjtorëve dhe i poetëve; qyteti i liqenit dhe i malit; qyteti i luksit perandorak dhe i shijes së rafinuar; ky është Pogradeci i liqenit dhe i kulturës; Pogradeci i festave dhe i gëzimit. Qyteti ku pushonin në të njëjtën kohë kreu i diktaturës së proletariatit dhe poeti i nëmur; qyteti ku të gjithë ia dinë shijen jetës. Jetës, këtij virtyti hyjnor për njeriun me mend, që duhet t’i japë dita-ditës kuptim.

 

Top Channel