Pas dështimit me kompanitë turke qeveria i është rikthyer sërish projektit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

“Albcontrol”, shoqëria publike që menaxhon trafikun ajror ka hapur një tender 2 milionë dollarë për të përzgjedhur kompaninë që do të hartojë masterplanin e navigimit ajror në aeroportin e Vlorës.

Sipas dokumentave të paraqitur në agjencinë e prokurimit publik, përveç masterplanit të navigimit kompania do të kryejë edhe studimin e fizibilitetit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili parashikohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë.

Tenderi i “Albctonrol” përbën hapin e parë drejt ndërtimit të aeroportit, një premtim që kryeministri Edi Rama e lançoi fillimisht në shkurt të vitit 2017 gjatë një takimi me presidentin turk Erdogan në Turqi.

Më pak se një vit nga takimi, në janar të 2018-ës në ministrinë e infrastrukturës mbërriti një ofertë nga tre kompani turke të udhëhequra nga Cengiz Construction për ndërtimin e aeroportit të Vlorës me koncesion. Por pas disa muajsh negociatash, kompanitë turke u larguan duke u tërhequr nga projekti për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë për çështje financiare.

Në prill të këtij viti ministria e infrastrukturës konfirmoi zyrtarisht dështimin e negociatave me kompanitë turke, por deklaroi se projekti do të vazhdojë dhe qeveria do të hapë tender ndërkombëtar për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Burime konfidenciale bëjnë të ditur se pas dështimit të negociatave me turqit, për ndërtimin e aeroportit është shfaqur interes nga një grup italian. Megjithatë ende nuk dihet se cila do të jetë formula e re e ndërtimit. A do të tentohet sërish ndërtimi me koncesion apo qeveria do ta financojë me paratë e buxhetit të shtetit.

Top Channel