Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi të premten që Rusia t’i përgjigjet me veprime të ngjashme një prove me raketë të realizuar kohët e fundit nga Pentagoni.

Zoti Putin i tha Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare se Rusia nuk mund të qëndrojë duarkryq, dhe se deklaratat amerikane për të instaluar raketa të reja në rajonin e Azi-Paqësorit prekin interesat thelbësore të Rusisë.

Pentagoni njoftoi të hënën se kishte testuar një raketë konvencionale kruz që goditi objektivin pas një fluturimi prej më shumë se 500 kilometrash.

Kjo është prova e parë e këtij lloji e SHBA që nga dalja e Uashingtonit nga pakti historik për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper tha kohët e fundit se është në favor të vendosjes së raketave me rreze të mesme veprimi në Azi. Ndërkaq, Presidenti Putin u ankua këtë javë se Shtetet e Bashkuara janë tani gati të instalojnë në Rumani dhe Poloni një raketë të re me bazë në tokë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë plane të afërta për të instaluar raketa të reja në Evropë. VOA

Top Channel