Numri i italianëve që zgjedhin të blejnë shtëpi jashtë kufijve, është rritur ndjeshëm, duke u kthyer në një fenomen që ka tërhequr fort vëmendjen e shtypit në fqinjin tonë përtej Adriatikut.

Këto 10 vitet e fundit, thonë mediat atje, gati 420 mijë italianë kanë blerë shtëpi në një shtet tjetër; vendi më i preferuar për këto lëvizje mbetet Spanja për shkak të çmimeve të lira dhe shumëllojshmërisë së ofertave.

Konkurrenca mes kompanive Low Cost duket të jetë faktor që ndikon në marrjen e një vendimi të tillë: Fluturimi me avion drejt lokaliteteve bregdetare atje shpesh nuk shkon me shumë sesa zhvendosja me makinë.

Kostoja e shërbimeve të lidhura me pushimet gjithashtu është më e ulët se në Itali.

Pas Spanjës, por me një trend të fortë tkurrjeje gjatë viteve të fundit renditen destinacione në SHBA, e në vend të tretë, gjithashtu në rënie, vjen interesi për vendet e lindjes, ku shumë prej blerjeve janë realizuar në kohën kur çmimet ishin ende mjaft të ulëta. Rritje ka ndërkohë vëmendja për Greqinë, falë një rrudhjeje të çmimeve atje, dhe për Portugalinë që tërheq më tepër pensionistët.

Londra ka qenë një prej qyteteve më të preferuara nga italianët për këtë qëllim, megjithatë me Brexitin, skenari ka ndryshuar rrënjësisht.

Top Channel