Skema e mashtrimit në fondacionin “Besa”, me kredidhënie fiktive, rezulton të ketë prekur mbi 800 persona, të cilët janë kredimarrës dhe klientë. Detajet kanë dalë pas arrestimit të drejtoreshës së filialit të fondacionit, Albana Imami. Kjo bëhet e ditur për Top Channel nga burime zyrtare pranë grupit hetimor që këtë çështje po e heton prej më shumë se një viti, për të zbuluar se kush ishin personat e përfshirë në skemën e kredi e fiktive.

Në vitin 2014-të, Albana Imami rezultonte vetëm me 0.1% kapital te ‘Besa’, rreth 11 milionë lekë të vjetra.

Rreth 3.7 milionë euro është shumë e përfituar nga një skemë mashtrimi e një filiani të një fondacioni kredidhëniene. Për këtë arsye, mbrëmjen e së martës, policia e Tiranës ka vënë në pranga 7 persona, mes tyre drejtoresha e degës, Albana Imami, oficerë të kredidhënies, si dhe Orkida Driza, personin që merrej me gjetjen e klientëve për të aplikuar për kredi. Ndërsa një tjetër person është shpallur në kërkim.

Për të 8 personat, rëndojnë dy akuza, ajo e Skemës mashtruese dhe Piramidale si dhe vjedhja duke shpërdoruar detyrën.

Kjo skemë mashtrimi është kuptuar nga drejtuesit e fondacionit të cilët kanë bërë kallëzim në policinë e Tiranës, se një pjesë e stafit të tyre po përfitonte nëpërmjet kredive fiktive, shuma të mëdha parash.

Top Channel